Ekspozitë historike e kampionit olimpik Shaban Tërstena me rastin e 40 vjetorit të medaljes së artë

Me rastin e 40 vjetorit të medaljes së artë olimpike sonte në Galerinë e Arteve në Tetovë u shfaq ekspozita sportive nga kampioni olimpik Shaban Tërstena, shkruan Portalb.mk.

Në ekspozitë u shfaqën ekskluzivisht 40 fotografi nostalgjike sportive, që përfshijnë 20 vjet të jetës së kampionit Shaban Tërstena në arenat sportive botërore.

“Një ekspozitë me disa fotografi të jetës sime. Mos përqeshni. Nuk janë fotografi të pastra, sepse nuk kam shkuar për t’u fotografuar, nuk kam fotografi. Këto janë fotografi prej aparateve të vogla që mi dha dikush. Jo fotografi profesionale”, deklaroi Tërstena.

Ai shtoi që nuk ka fotografi kur është bërë kampion, duke theksuar që qëllimi nuk ishte të shkon në gara për fotografi, por për të fituar.

Shaban Tërstena fitoi medaljen e artë olimpike në mundje më 10 gusht 1984 në Los Angeles. Ai ka fituar edhe medalje të argjendtë në Lojërat Olimpike të vitit 1988 në Soeul.