Ekspozita “Poetika e së purpurtës” na fton të prekim thelbin e së pafundmes
Mbrëmë në Gallery Kult në Gostivar u hap ekspozita me titull “Poetika e së purpurtës” e artistit Safet Spahiu. Kjo ekspozitë nuk është vetëm një shfaqje estetike, por një ritual vizual, një ftesë për ta kapërcyer kufirin mes asaj që mund të kuptohet dhe asaj që vetëm mund të ndjehet, transmeton Portalb.mk.
“Poetika e së purpurtës” është një ndjesi, një fushë energjie ku abstraksioni nuk është thjesht estetikë, por një gjendje psiko-fizike që fton të prekim thelbin e së pafundmes, asaj që nuk ka formë, origjinë, por është vetëm vegim.
Kuratorja e ekspozitës Vlora Demiri për Portalb.mk tha se arti i Spahiut na kujton se përtej asaj që syri mund të shohë dhe mendja mund të kuptojë, ekziston një dimension tjetër, i pamatshëm, i pakapshëm, por gjithmonë i pranishëm. Aty ku e ka fillin dhe fundin çdo gjë.
“Dimenzioni fizik i pikturave të Spahiut i bën veprat të prekshme jo vetëm me sy, por edhe me ndjesinë e pranisë së tyre. Megjithatë çdo imazh është një përpjekje për të komunikuar me atë që ekziston përtej asaj që retina arrin ta kap. Në këtë rast abstraktja nuk është thjesht një lojë formash, është një kërkim për të vizualizuar atë që nuk mund të shihet. Është një përpjekje për të prekur të pafundmen dhe të papërcaktueshmen me anë të artit”, tha Demiri.

Artisti Safet Spahiu për Portalb.mktha se ekspozita u mirëprit me shumë emocion nga publiku.
“Në ekspozitë kam prezantuar njëzet piktura në teknikë të kombinuar në pëlhurë në format të madh dhe të mesëm. Ekspozita u prit shumë mire nga kolegë artistë, profesorë të Universitetit të Tetovës dhe artdashës të shumtë. Për gjithë artdashësit ekspozita do të jetë e hapur për 10 ditë me radhë”, tha Spahiu.
Ekspozita “Poetika e së purpurtës” u mbështet Ministria për kulturë Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës.
