Ekspozita “Mbjellim dashuri” për Nënë Terezën bëri bashkë në Tiranë presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës

Ekspozita “Mbjellim dashuri” bëri bashkë sot në Tiranë të dy presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani. Ekspozita u organizua nga ITSHKSH, Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë dhe Agjensia shtetërore e arkivave të Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Hapjen e skpozitës e bëri drejtori i Arkivave të përgjithshme të Shqipërisë, Ardit Bido, kurse drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, bëri komentimin e fotogravive dhe dokumenteve, duke përshkruar rrugën jetësore të Nënë Terezës, që nga fillimi kur ajo ishte Gonxhe Bojaxhiu, deri në shenjtërimin e saj.

Presidenti shqiptar Bajram Begaj me këtë rast shprehu konsiderata të larta ndaj organizatorëve të kësaj ekspozite dhe u shpreh i gatshëm që shtetit shqiptar të mbështes çdo nismë që ndërmerret për të nderuar kujtimin për Nënën Tereze.

Ndërkaq Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se puna kolosale e Nënës Tereze na obligon që ta ruajmë të përhershme dashurinë dhe përkushtimin për të.

Fotografitë e përzgjedhuar dhe sistemuara nga ITSHKSH , bashkë me dokumentet e rralla të siguruara nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë, përbënin lajtmotivin e kësaj ekspozite, tha Skender Asani, i cili veçoi disa momente që ndërlidhen me aktivitetet e ITSHKSH në ruajtjen dhe evokimin e trashëgimisë së Nënës Tereze, siç ishte bredhi i mbjellur nga ajo, por i shkatërruar para dy viteve, nga farat e të cilit u mbollën disa bredha në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë.

Një kontribut të veçantë në organizimin e kësaj ekspozite ka dhënë edhe Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shqipërisë, me ç’rast drejtori Ardit Bido veçoi një dëshmi të rrallë të Nënës Tereze.

“Besën e shqiptarit ia kam dhanë Zotit me prue dashni dhe paqe në gjithë botën”, është kjo thënia e N. Tereze e cituar nga Bido, që përbën edhe dokumentin e arkivuar që dëshmon fjalët e fundit të thëna shqip nga N. Tereze.
Aktiviteti i sotëm u ndoq nga media të shumta, ku të pranishëm ishin edhe disa diplomatë të akredituar në Tiranë.