Edi Sherifovski në OpenMic: Të rinjtë që merren me sport nuk janë të dhunshëm dhe nuk bullizojnë

Në episodin e katërt të OpenMic në Portalb flasim me Edi Sherifovskin, xhudist i ri që e përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Lojërat Olimpike në Paris.

Në bisedë me të, ai tregoi se si kur ka filluar me xhudon, e ka gjetur veten aty që në trajnimin e parë, për të shprehur talentin e tij për këtë sport.

“Çdo sportist që të mbërrije ndonjë rezultat më të madh duhet të jep mund jonormal, si të them, të bëjë disa gjëra që tjerët nuk i bëjnë” tha Edi.

Në pyetjen se sa ka kushte për ushtrimin e këtij sporti në vendin tonë, ai tha se në Maqedoni çdo sport është i vështirë duke filluar nga kushtet fizike si dhe përzierja e politikës në sport.

“Si çdo punë, edhe sporti është më i vështirë në këtë vend… Në aspektin e sallave, këtu është si luftë, duke ndryshuar sallat dhe duke u ngutur për të mbaruar e filluar trajnimet. Por, xhudo të mundëson të tregohesh vetë, edhe kur të thonë që nuk din, mundesh me një kampionat kombëtar ta tregosh veten” tha Edi.

Ai flet edhe për përvojën dhe sfidat e tij deri në përzgjedhjen e tij për të prezantuar vendin në Garat Olimpike.

“Sfida më e madhe është që nuk kemi trajner që do na përgatiste për garim jashtë vendit. Për më tepër, si sportist duhet gjithnjë të garosh jashtë dhe kjo të kushton financa, duhet të jesh në trend, të “vjedhësh” ide dhe metoda nga sportistët tjerë botërore. Je vetëm në një rrugë që nuk e din ku do të arrish” tha ai mes tjerash.

Ditë më parë, ai ishte në takim me presidenten e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova për pjesëmarrjen e tij në këto gara.

Porosia e tij për të rinjtë është që të merren me sport, sidomos luftarak sepse përpos përfitimit fizik, përmirësohet dhe shëndeti mental, largohen dhe dukuritë negative të të rinjve.

“Ata që merren me këtë sport nuk bullizojnë, e as që kanë nevojë të jenë të dhunshëm” thotë Edi.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.