Edhe Skupi u gjallërua para zgjedhjeve: Ministria e Kulturës nënshkroi Memorandum Bashkëpunimi me arkeologët gjermanë

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, së bashku me një delegacion nga Instituti Arkeologjik Gjerman në Berlin dhe përfaqësues nga Muzeu i Qytetit të Shkupit, vizituan sot lokalitetin arkeologjik Skupi. Si pjesë e këtij eventi, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi midis Ministrisë dhe Institutit, si dhe një Marrëveshje bashkëpunimi midis Komisionit romako-gjerman dhe Muzeut të Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Instituti Arkeologjik Gjerman është një institucion ndërkombëtar kërkimor nën juridiksionin e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë “me shumë vite përvojë në projekte kërkimore arkeologjike dhe konservimi në të gjithë botën”.

“Arkeologjia është një segment i rëndësishëm i mozaikut kulturor dhe historik të vendit tonë dhe përfaqëson një trashëgimi të paçmuar për brezat e ardhshëm. Ne jemi të detyruar ta hulumtojmë, mbrojmë dhe afirmojmë këtë trashëgimi, sepse çdo gjetje arkeologjike është një lidhje e gjallë midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Bashkëpunimi do të mundësojë shkëmbimin e njohurive, metodologjive dhe kërkimeve të përbashkëta, të cilat pritet të përmirësojnë standardet shkencore dhe promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore maqedonase”, tha ministri Ljutkov.

Anëtari i Komisionit romako-gjerman në Institutin Arkeologjik Gjerman, Lukas Werther, theksoi se aktivitetet e përbashkëta do të bazohen në kërkime shkencore, të disponueshme për publikun.

“Mezi presim aktivitetet tona të përbashkëta në këtë vend, i cili fsheh përmbajtje të shumta të pazbuluara. Qëllimi është t’i bëjmë ato të dukshme për publikun dhe të ndërtojmë kapacitetet e Skupit”, tha Werther. Ai shtoi se nënshkrimi i dokumentit të dytë me Muzeun e Qytetit të Shkupit përfaqëson fillimin e hapave konkretë në bashkëpunim, me pritjet se do të kontribuojë edhe në zhvillimin e turizmit kulturor, duke i pozicionuar vendet arkeologjike vendase në hartën kulturore evropiane.

Kontrasti midis vizioneve dhe realitetit

Edhe pse sot Skupi dukej i rregullt, me bar të kositur dhe shtigje të pastruara, situata atje deri vonë ishte krejtësisht e ndryshme. Vetëm pak muaj më parë, vendi dukej i lënë pas dore, me bimësi të dendur, kafshë të egra dhe mbeturina. Fotografitë e bëra në mars, maj dhe qershor të këtij viti dëshmojnë për neglizhencën, dhe kjo gjatë një periudhe kur nuk kishte vizita zyrtare të paralajmëruara.

Situata me Skupin u tregua në detaje edhe në reportazhin e Prizmës të publikuar rreth dyzet ditë më parë, pas disa muajsh kërkime gazetareske. Storja dokumentoi se vendi arkeologjik ishte lënë pas dore për vite me radhë dhe se projekti ambicioz për rindërtimin e amfiteatrit, me vlerë mbi shtatë milionë euro, i filluar në vitin 2016, u pezullua në vitin 2018 me arsyetimin se projekti nuk ishte autentik. Që atëherë, Skupi është dukur kryesisht si një vend i lënë pas dore, i rrethuar nga mbeturinat dhe i harruar nga institucionet.

Në aktivitetin e sotëm, ministri Ljutkov u pyet nëse institucionet e kujtuan rëndësinë e Skupit vetëm pas raportimit të medias dhe reagimit publik, dhe pse marrëveshjet po nënshkruhen tani, dhe jo gjatë takimeve të para me Institutin Arkeologjik Gjerman vitin e kaluar.

Ljutkov theksoi se proceset filluan tetë muaj më parë. “Nuk është e vërtetë që po e bëjmë këtë sot dhe se e gjithë kjo filloi sot. Këto marrëveshje filluan 8 muaj më parë. Rreth 8 muaj më parë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit nënshkroi marrëveshjet e para për bashkëpunim me Institutin Arkeologjik Gjerman dhe Muzeun e Qytetit të Shkupit. Duhet ta pyesni qeverinë e mëparshme pse Skupi u neglizhua, ata janë përgjegjës për ndërprerjen e rindërtimit dhe restaurimit”, tha ministri.