Dy aktorë nga Maqedonia e Veriut në filmin “HANA” që garon për çmimin “UNESCO Gandhi Medal”

Filmi “HANA”, me regji të Ujkan Hysajt, do ta shënojë premierën e tij botërore në edicionin e 56-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Goa, Indi një nga festivalet më prestigjioze të kategorisë “A” në botë. Pjesë e filmit janë edhe dy aktorët Teuta Jegeni-Ajdini dhe Refet Abazi, nga Maqedonia e Veriut. Ky prodhim është përzgjedhur në programin zyrtar të garës për çmimin “ICFT–UNESCO Gandhi Medal Award”, i cili vlerëson veprat kinematografike që përcjellin idealet e UNESCO-s, si toleranca, dialogu ndërkulturor dhe paqja, shkruan Portalb.mk.

Foto nga filmi “Hana”. Foto: Ujkan Hysaj (Facebook)
Foto nga filmi “Hana”. Foto: Ujkan Hysaj (Facebook)

Në qendër të tregimit qëndron Sara, një aktore që bashkohet me një program të Art Terapisë në Qendrën e Rehabilitimit për Gratë në Kosovë, për të ndihmuar të mbijetuarat të shndërrojnë dhimbjet e tyre në art. Por teksa ajo zhytet në historitë e grave, ajo përballet me plagët e veta të pashëruara të lidhura me babanë e saj dhe me identitetin e saj të dytë, Hana.

Foto nga filmi “Hana”. Foto: Ujkan Hysaj (Facebook)
Foto nga filmi “Hana”. Foto: Ujkan Hysaj (Facebook)

Në rolet kryesore interpretojnë: Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi, Ermin Bravo, Teuta Ajdini, Fatlume Bunajku, Agron Shala, Lumije Muçaj Sopi, Xhevdet Doda, Shpend Xani, Xhejlane Godanci, Bislim Muçaj, Nazmije Bajrami, Daniela Markaj dhe Euron Kadriu.