DOSJE: “Rojtarët e thesarit të shtetit”, ministri i 17-të do të ulet në karrigen e Ministrisë së Financave

Që nga pavarësia e vendit e deri më tani, Ministria e Financave është drejtuar nga dy ministra, shqiptarë etnikë. Nga të gjithë ministrat e mëparshëm, Zoran Stavrevski kishte mandatin më të gjatë, kurse Zoran Zaevi më të shkurtin, si ministër i përkohshëm. Me plotësimin e kabinetit të ri qeveritar, në këtë dikaster do të ulet ministri i i 17-të me radhë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Kush dhe si i “ruajti” financat publike…

Ministër i parë i financave në Qeverinë e parë eksperte në Maqedoninë e pavarur ishte Metodija Toshevski, i cili de rejtoi këtë ministri nga marsi i vitit 1991 deri në fillim të shtatorit të vitit 1992. Më parë ka qenë drejtor i “Komercijallna Bankës” dhe “Almako Bankës” tashmë të falimentuar, ndërsa në vitin 2000 u emërua Kryerevizor shtetëror.

Pasardhës i Toshevskit ishte Xhevdet Hajredini, i cili në këtë post të rëndësishëm erdhi nga PPD-ja e atëhershme dhe qëndroi deri në fund të vitit 1994. Me profesion është ekonomist, por ka punuar edhe si gazetar. Ai i menaxhoi financat shtetërore në Qeverinë e kryesuar nga Cërvenkovski.

Më 20 dhjetor të vitit 994, në karrigen ministrore u ul Jane Miljovski, i deleguar nga radhët e LSDM-së. Këtë detyrë e kreu deri në fund të shkurtit të vitit 1996. Si ministër pa portofol, ai ishte pjesë e Qeverisë së parë Eksperte të Nikolla Kljusevit, kur iu dha detyra për përgatitjen e konceptit për privatizimin e pronës shoqërore. Në qarqet afariste dhe ekonomike, Miljoski mbeti i njohur si “babai” i privatizimit dhe denacionalizimit.

Nga shkurti i vitit 1996 deri në fund të nëntorit të vitit 1998, në krye të “financave publike” ishte Taki Fiti, akademik aktual. Ashtu si paraardhësit e tij, edhe profesor Fiti, për shkak të ndryshimeve politike, nuk arriti ta përfundojë mandatin katërvjeçar në Ministrinë e Financave.

Ndryshimi i qeverisë në krye të Ministrisë së Financave do të sjellë edhe ministrin e parë nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Boris Stojmenovin, i cili do të qëndrojë pak më shumë se një vit në këtë dikaster. Stojmenovi, ekonomist dhe biznesmen, ishte ministër në qeverinë e kryesuar nga Ljubço Gerogievski. Gjatë periudhës së mandatit të tij, me nënshkrimin e tij, u bë shitja e rafinerisë së atëhershme shtetërore “Okta” tek “Hellenic Petroleum” grek. Kjo marrëveshje shkaktoi reagime të shumta dhe të fuqishme në opinion.

VMRO-DPMNE-ja do të vazhdojë ta drejtojë Ministrinë e Financave edhe në vitet në vijim. Nga fundi i dhjetorit të vitit 1999 deri në fillim të nëntorit të vitit 2002, në krye të këtij dikasteri ishte Nikolla Gruveski. Gjatë mandatit të tij ai futi TVSH-në, llogaritë fiskale si dhe fushatën “Blini produkti maqedonase”. Gruevski e aktivizoi reformën për denacionalizimin e pronës kombëtare në periudhën prej vitit 1945 deri në vitin 1990.  Gjatë mandatit të tij filloi shitja e ish-gjigantit bankar “Banka e Maqedonisë” përmes transaksioneve të diskutueshme pas të cilave qëndronin emra të njohur të strukturës qeverisëse të asaj kohe. Banka nuk ekziston më.

Ndryshimet e reja pas krizës së luftës në vend sollën edhe ndryshime politike. Në fillim të nëntorit të vitit 2002, në krye të Ministrisë së Financave qëndroi Petar Goshev, si përfaqësues i LDP-së në Qeverinë e kryesuar nga Branko Cërvenkovski. Mandati i Goshevit zgjati një vit, deri më 7 nëntor të vitit 2003.

Pasardhës i Goshevit ishte Nikolla Popovski, i emëruar nga LSDM-ja në Qeverinë e udhëhequr nga Cërvenkovski, e më vonë edhe në Qeverinë e udhëhequr nga Buçkovski. Ai qëndron në krye të ministrisë deri në fund të gushtit të vitit 2006, duke e bërë atë ministrin e parë të LSDM-së me mandatin më të gjatë prej 2 vjet e 8 muaj.  Ai u konsiderua si një ministër që “kursen”, por edhe i pari që nxor letrat me vlerë, si dhe Eurobondin e parë me vlerë prej 150 milionë euro.

Ndryshimi politik në qeveri solli ministrin e ardhshëm të financave nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Në krye të këtij dikasteri qëndroi Trajko Sllaveski. Mandati i tij zgjati deri më 8 korrik 2009, kur u shkarkua me propozim të kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruveski. Sllavevski është ministri i dytë me mandatin më të gjatë pas Stavreskit. Sllavevski e drejtoi ministrinë gjatë periudhës kur “shpërtheu” kriza financiare botërore.

Në korrik të vitit 2009, si pasardhës i Sllavevskit erdhi Zoran Stavrevski. Ai do të jetë i vetmi ministër i financave me mandatin më të gjatë, prej gati shtatë vitesh (i munguan vetëm 20 ditë). Para se të bëhej ministër në Qeverinë e udhëhequr nga Gruveski, ai ka punuar në Bankën Botërore. Stavrevski dha dorëheqje nga posti i ministrit dhe zëvendëskryeministrit në qershor të vitit 2016, siç tha, për arsye shëndetësore, kur qeverinë e përkohshme e drejtonte nga Emil Dimitriev.

Mandatin më të shkurtër si ministër i financave e kishte Kirill Minovski, i emëruar në mesin e qershorit të vitit 2016 në kuadër të Qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga Dimitrievi. Mandati i tij zgjati 351 ditë.

Pas ndryshimit politik në qeveri, LSDM-ja mori përsipër Ministrinë e Financave, duke emëruar në këtë post ministrin Dragan Tevdovski. Ai, si pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga Zaevi, e menaxhoi këtë dikaster deri në fund të qershorit të vitit 2019. Ai mbeti i njohur për përpjekjen për heqjen e tatimit të sheshtë dhe futjen e tatimit progresiv. Ai refuzoi të jepte dorëheqje, dhe njëlloj si Sllaveski, u shkarkua në Parlament.

Mandatin më të shkurtër ministror e kishte Zoran Zaevi, i cili në fund të qershorit të vitit 2019, përveç postit të kryeministrit, e mbajti edhe këtë detyrë për dy muaj, deri në emërimin e Nina Angellovskës për ministreshë të re financash në qeverinë e rikonstruktuar. Ajo ishte gjithashtu gruaja e parë që menaxhoi me “financat publike”. Mandati i saj ishte saktësisht një vit, deri më 31 gusht 2020.

Në fund të gushtit 2020, për herë të parë ky dikaster do të kalojë në duart e BDI-së. Në këtë pozitë erdhi Fatmir Besimi, i cili prej shumë vitesh ka qenë funksionar edhe në qeveritë e mëparshme, si Zëvendëskryeministër për Integrimet Evropiane, Ministër i Mbrojtjes dhe Ekonomisë.  Besimi është ndër të paktët që përfundoi një mandat të plotë ministror 4-vjeçar.

Në Qeverinë e re, ky dikaster strategjik është në duart e VMRO-DPMNE-së, me paralajmërimin se në krye të tij do të jetë një grua.