Do të ketë rivotim, Gjykata Administrative e RMV-së i refuzoi të shtatë paditë nga “Fronti Evropian”

Gjykata Administrative mbrëmë i refuzoi si të pabaza të gjitha shtatë paditë nga “Fronti Evropian” kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për rivotim në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, njofton Portalb.mk.

Me vendimet e Gjykatës Administrative vërtetohen vendimet e KSHZ-së për rivotim në gjashtë vendvotime në Njësinë e pestë zgjedhore dhe një në Njësinë e gjashtë zgjedhore, vendvotimet 1202 dhe 1194 në Krushevë, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, 1272 në Ohër, 1844 në Strugë dhe 2101 në Zhelinë.

Sipas Kodit Zgjedhor, në qoftë se vendimi për rivotim në një vendvotim mund të ndikojë në rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet, KSHZ-ja do të organizojë sërish votim 14 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve, gjegjësisht më 22 maj.

Pas mesnate, koalicioni “Vlen” përmes një kumtese i ka përshëndetur vendimet e Gjykatës Administrative dhe ka bërë thirrje për dalje masovike në votimin e përsëritur në vendvotimin ku koalicioni, sipas rezultatit të votimit, mund të fitojë një deputet më shumë.

“Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie. Ndryshimi i filluar më 8 maj, ka filluar të realizohet, por që të jetë edhe më i shpejtë dhe më efikas i ftojmë qytetarët e vendvotimit 2101 – Komuna e Zhelinës, që të mërkurën (më datë 22 maj) të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre, të lirë, pa iu nënshtruar trysnive të BDI-së dhe manipuluesve të saj në ikje. Ndryshimi i nisur nuk ka kthim prapa. Ja VLEN për Zhelinën dhe për çdo qytetar në vendin tonë”, thuhet në kumtesën nga koalicioni “Vlen“.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.