30 të rinj shqiptarë ishin në Austri për të marrë pjesë në Hakatonin e Teknologjisë së Turizmit (VIDEO-FOTO)

Tridhjetë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ishin në Austri më 11 dhe 12 nëntor për të marrë pjesën në hakatonin e Festivalit të Teknologjisë së Turizmit. Njëri prej të përzgjedhurve, Redis Stasa, e fitoi çmimin e tretë në kategorinë e realitetit virtual, si pjesë e grupit “Tourineers”. Organizatori i hakatonit, Florian Bauer, tha se tani që kanë bazë në Tiranë, vitet e ardhshme do të ketë bashkëpunim më të ngushtë mes austriakëve dhe shqiptarëve, shkruan Portalb.mk.

28 tetorTiranë u mbajt një hakaton me 10 nivele vështirësie, nga ku 30 pjesëmarrës u përzgjodhën për t’u dërguar në Austri. Të rinjtë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kishin mundësinë të marrin pjesë online në këtë ngjarje.

Të rinjtë që u përzgjodhën, më 10 nëntor vizituan Dhomën ekonomike në Vjenë, ku u patën mundësinë të takojnë përfaqësues nga ndërmarrje të ndryshme teknologjike austriake dhe të njihen me punën e tyre.

11 dhe 12 nëntor grupi i të rinjve ishte në Salzburg për të marrë pjesë në hakatonine Festivalit të Teknologjisë së Turizmit, ku kishte 3 fusha dhe gjithsej 6 sfida nga të cilat mund të zgjidhnin për të garuar.

hakaton
Regjistrimi në Hakatonën e Teknologjisë së Turizmit në Salzburg. Foto: Portalb.mk

Fusha e parë ishte krijimi i një aplikacioni për njërin nga 4 klientët, sponzorë të hakatonit: Dachstein Salzkammergut, Oberösterreich Tourismus, Gastein dhe MasterCard Austria. Përfaqësuesit e këtyre ndërmarrjeve sqaruan një problem specifik, për të cilin pjesëmarrësit kishin kohë 24 orë të krijonin një model aplikacioni ose një funksionalitet shtesë të uebfaqeve ose aplikacioneve ekzistuese, që do ta zgjidhë atë problem.

Fusha e dytë kishte të bëjë me punën me të dhëna, ku pjesëmarrësit duhej të analizonin depo të të dhënave të ofruara nga ndërmarrjet, për të gjetur relacione të fshehta që mund të sjellin ide për aktivitete ose zgjerim të biznesit.

Për fushën e tretë pjesëmarrësit u pajisën me mjete të realitetit virtual, të cilat duhej t’i përdornin për të programuar një përvojë virtuale që ka të bëjë me turizmin në Austri.

Për argëtim këtë vit u shtua edhe një fushë plotësuese e inteligjencës artificiale, ku secili pjesëmarrës mund të dërgonte një foto të gjeneruar me IA.

Nga të rinjtë shqiptarë, Redis Stasa, në bashkëpunim me një pjesëmarrës të jashtëm, Tayfun B, krijuan grupin “Tourineers” dhe në fushën e realitetit virtual fituan çmimin e tretë.

hakaton
Grupi “Tourineers”: Redis Stasa dhe Tayfun. Foto: Portalb.mk

Organizuesi i hakatonit, Florian Bauer, në intervistë të shkurtë për Portalb.mk tha se organizata e tij tani ka bazë në Tiranë dhe në vitet e ardhshme pritet të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes shqiptarëve dhe austriakëve. Intervistën e plotë mund ta ndiqni më poshtë.