Disa të vdekur e të plagosur pas sulmit në Gjermani

Nga një sulm me thikë në një festë të qytetit Solingen të Gjermanisë mbetën të vdekur tre persona dhe disa të plagosur. Policia foli për atentat dhe shpalli gjendjen e lartë të alarmit, pasi autori është në arrati, transmeton DW.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser (SPD) u shpreh mjaft e tronditur pas sulmit me thikë në Solingen. “Sulmi brutal në festivalin e qytetit në Solingen na trondit thellë”, tha politikanja socialdemokrate të shtunën në mëngjes. “Ne mbajmë zi për njerëzit të cilëve iu mor jeta në një mënyrë të tmerrshme. Mendimet e mia janë me familjet e të vrarëve dhe të plagosurit rëndë.” Faeser theksoi, se “autoritetet tona të sigurisë po bëjnë gjithçka që munden për të kapur autorin dhe për të përcaktuar arsyet e sulmit,” shpjegoi Faeser. “Policia e Renani Veriore-Vestfali ka çdo mbështetje nga qeveria federale.” Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin e Brendshëm, Herbert Reul dhe autoritetet tona të sigurisë, tha ministrija e Brendshme Federale.

Një sulmues vrau të paktën tre persona me thikë të premten në mbrëmje në festimet e 650 vjetorit të qytetit Solingen, Gjermani. Sipas policisë, tetë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, pesë prej tyre në gjendje të rëndë. Vrasësi ndodhet në arrati, tha një zëdhënëse e policisë pak pas mesnate në Dyseldorf. Policia foli për atentat dhe po e kërkon atentatorin me një operacion të zgjeruar. “Aktualisht nuk kemi të dhëna për vendndodhjen e tij”, tha një zëdhënës i policisë.

Nuk ka informacione të sakta për paraqitjen e vrasësit të dyshuar në arrati. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të landit Renani-Veriore-Vestfali tha, se ai arriti të shpëtojë nga rrëmuja dhe paniku që u përhap menjëherë pas krimit “Unë mendoj se ky është problemi ynë më i madh. Nuk kemi aq shumë informacione për autorin e krimitakoma”, shpjegoi Aleksandër Kresta, zëdhënës i policisë së Vupertalit. Dëshmitarët që ndodheshin në afërsi të ngjarjes kanë qenë mjaft të tronditur. Megjithatë, hetuesit aktualisht janë të mendimit se bëhej fjalë për një vrasës të vetëm, tha Kresta. Të gjitha deklaratat e dëshmitarëve që policia ka mundur t’i regjistrojë deri më tani e kanë konfirmuar për këtë. Atentatori i goditi në qafë viktimat e tij në mënyrë të qëllimshme. Të gjithë personat kanë qenv vizitorë të festivalit.