Dikur dhe tani

Disa gjëra që me shumë mund dhe sakrificë janë arrirë me kalimin e kohës normalizohen. Shtatë vite më parë erdhëm në pragun e luftës civile në momentin kur për herë të parë një shqiptar u zgjodh kryetar i Kuvendit të RMV. Në atë kohë ishin pikërisht deputetët e VMRO-DPMNE ata që i hapën dyert e Kuvendit që brenda të hyjë turma e mllefosur dhe të bëjnë atë që më vonë gjykata e kualifikoi si cënim terrorist të rendit kushtetues. Ishte ditë e vështirë dhe vendimtare ajo, e cila më pas shërbeu si katalizator i shumë proceseve: u nënshkrua Marrëveshja e Prespës dhe ky shtet pas shumë peripecive u anëtarësua në NATO.

Tani pas shtatë vitesh sërish një shqiptar u zgjodh kryetar i Kuvendit, kësaj radhe me përkrahjen e vetë VMRO-DPMNE-së që para shtatë vitesh desh e shembi shtetin pikërisht për këtë arsye. Tani deputetët e VMRO-DPMNE-së ishin të qetë dhe të heshtur para sulmeve shoviniste të së Majtës të cilët i kritikonin ashpër pse kanë lejuar që një shqiptar të jetë bartës i njërit nga funksionet më të larta shtetërore. VMRO-DPMNE qëndroi heshtur edhe pse prita të thoshte se për ata nuk është problem që një shqiptar të jetë kryetar Kuvendi, me kusht që ata të zgjedhin se cili shqiptar do të jetë në atë funksion.

Ajo që duhet të na brengosë është vazhdimi i retorikës izolacioniste nga përfaqësuesit e partisë që së shpejti do të ketë pushtet apsolut në këtë shtet. Me kujdes i dëgjoj deklaratat e tyre lidhur me respektimin e Marrëveshjes së Prespës. Pretendimet se kjo marrëveshje nuk shkelet përmes diskursit verbal kur në dokumente të shkruara qëndron emri kushtetues i shtetit e në ndërkohë funksionarët shtetëtorë në paraqitjet e tyre thonë diçka tjetër thjesht janë të pabaza. Marrëveshja e Prespës është shumë e qartë në këtë drejtim. Shteti është zotuar se do ta përdorë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut erga omnes, pra edhe jashtë edhe brenda shtetit. Poashtu shteti është zotuar që terminin Maqedoni nuk do ta përdorë gjatë paraqitjeve zyrtare, e megjithatë, në një akt kryekëput zyrtar dhe ceremonial si që ishte inaugurimi i prsidentes së shtetit, ajo nuk i respektoi detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Prespës dhe shkaktoi incident ndërkombëtar.

Ne nuk kemi kohë për t’u kthyer prapa në këtë proces. Kemi pritur gjatë për ta bërë këtë përparim modest që u mundësua pikërisht me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Tani kthimi prapa është me shumë pasoja për të gjithë ne, nga të cilat pasoja më e madhe është izolimi që ne si qytetarë të këtij vendi e mbi të gjitha si shqiptarë që gjithmonë kanë qenë pro integrimeve evropiane nuk mund t’ia lejojmë vetëvetes. Kështu që nuk ka rëndësi kush bëhet kryetar Kuvendi e as ministër nëse ne kthehemi pas në izolimin e mëparshëm nga i cili na u deshën dekada të tëra për të dalë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.