Dhuna në familje: Nga rrahja deri tek aktgjykimi kanë kaluar gjashtë vite, dhunuesi ka kohë që është në arrati

Mbetet e hapur çështja se sa e sigurt dhe e mbrojtur ndihet viktima duke e ditur që autori i dhunës në familje është në liri, aq më tepër që ndonjëherë kalojnë edhe disa vite nga momenti i denoncimit të rastit në Ministrinë e Punëve të Brendshme deri në shqiptimin e dënimit për dhunë në familje. Gjatë këtyre viteve autori i dhunës në familje mund të arratiset, ta përsërisë veprën, ndërsa ndonjëherë ndodh edhe që viktima heqë dorë nga ndjekja penale, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Numri më i madh i dënimeve që autorëve të dhunës në familje u shqiptohen në Gjykatën Themelore Penale në Shkup janë dënime me kusht, që praktikisht do të thotë se personat që kryejnë dhunë në familje mbeten të lirë, me kusht që brenda një afati të caktuar të mos kryejnë vepër të re.

Sipas të dhënave të cilat i siguroi Meta.mk, nga viti 2020 deri në maj të këtij viti, për dhunë në familje me dënim me kusht janë dënuar 198 persona, ndërsa 88 janë dënuar me burg.

Kështu, për shembull, një burrit, i cili më 11 janar të vitit të kaluar në gjendje të dehur e ka rrahur gruan e tij, e ka kërcënuar se do ta vriste dhe e ka ofenduar nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 6 të pasdites, i është shqiptuar dënim me kusht.

I akuzuari dënohet me kusht, gjegjësisht siç thuhet në aktgjykim, dhunuesit “i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, të cilin ai nuk do ta kryejë nëse nuk kryen vepër të re brenda tre vjetësh nga dita e shqiptimit të aktgjykimit”.

“Në Kodin Penal janë numëruar kushtet që duhet të plotësohen që një personi të caktuar t’i jepet një dënim me kusht. Dënimi me kusht mund të shqiptohet nëse autori dënohet me burgim deri në dy vjet ose me gjobë. Gjatë shqiptimit të aktgjykimit për caktimin e dënimit me kusht gjykata merr parasysh personalitetin e autorit, të kaluarën e tij, sjelljen e tij pas krimit, shkallën e përgjegjësisë penale dhe rrethanat e tjera në të cilat është kryer krimi”, sqarojnë nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj.

Procedimet penale që Shoqata e Juristëve të Rinj i ka ndërmarrë përmes aktiviteteve për mbrojtjen e viktimave të krimeve të dhunshme të gjitha kanë përfunduar me dënime me kusht me kohëzgjatje të ndryshme.

Për momentin në Sektorin për probacion nën mbikëqyrje janë 45 autorë të dhunës në familje

Ajo që është më ndryshe, e sipas ekspertëve më efektive se dënimi me kusht, janë “dënimet me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse”. Probacioni, i cili në vendin tonë ka filluar të zbatohet më rregullisht nga viti 2019, është një shërbim profesional në Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve që bën mbikëqyrje të masave alternative dhe lirimit me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse dhe bën vlerësimin e rrezikut të të akuzuarve gjatë procesit gjyqësor.

Nga viti 2020 deri në maj të vitit 2024 në Gjykatën Themelore Penale janë shqiptuar 58 dënime me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse për vepra që kanë të bëjnë me dhunën në familje. Kjo do të thotë se gjykatësi ka vlerësuar se dënimi me burg ka qenë një dënim tepër i ashpër, ndërsa dënimi me kusht “tepër i butë” për autorin e dhunës.

“Probacioni ka disa përparësi të rëndësishme, para së gjithash është më ekonomik dhe kontribuon në uljen e shpenzimeve të burgjeve duke e ulur numrin e të burgosurve, gjë që nga ana tjetër u mundëson punonjësve të burgjeve të përqendrohen më mirë në procesin e risocializimit dhe riintegrimit social të personave që vuajnë dënimin me burg për krime më të rënda”, thonë nga Sektori për probacion pranë Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Nëpunësit e probacionit ndihmojnë në reduktimin e ndikimit kriminal ndaj autorëve të veprave penale të lehta nga autorët e veprave penale me rrezik të lartë brenda burgut. Ajo që është më e rëndësishme sipas këtij sektori është se masat për të cilat është kompetent probacioni kryhen brenda komunitetit, me ç’rast bëhet kujdes për respektimin e dinjitetit të personave të dënuar, duke u mundësuar atyre që të ruajnë lidhjet familjare, të ruajnë vendet e punës dhe të parandalohet kështu stigmatizimi.

Meta.mk vizitoi Zyrën e probacionit në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, për të pasur një pasqyrë më të qartë për atë se çfarë do të thotë në të vërtetë probacioni dhe si funksionon.

Probacioni. Foto: Meta.mk
Probacioni. Foto: Meta.mk

Në Shkup punojnë 8 nëpunës të probacionit, ndërsa në nivel shtetëror ato janë gjithsej 28. Bëhet fjalë për persona të cilët janë juristë, psikologë dhe punonjës socialë të trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare.

Për momentin ata kanë 604 lëndë aktive. Nga ato 45 kanë të bëjnë me autorë të dhunës në familje, 24 janë prej të cilëve nga Shkupi.

Kjo praktikisht do të thotë se nëse një person dënohet për dhunë në familje me një dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, gjykata mund ta urdhërojë atë të ndjekë një program për punë me të dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje në Qendrën e parë familjare, e cila drejtohet nga Organizata joqeveritare HERA, t’i ndalojë përdorimin e alkoolit dhe drogës, ta udhëzojë për trajtim ose rehabilitim social në një institucion adekuat të specializuar, etj.

I gjithë ky proces ndiqet nga nëpunësit e probacionit dhe nëse ata konstatojnë se autori i dhunës në familje nuk i respekton rekomandimet, mund ta njoftojnë gjykatën, e cila pastaj mund ta revokojë dënimin me kusht dhe të aktivizojë dënimin me burg.

“Një pjesë e atyre që nuk janë të përshtatshëm për t’iu nënshtruar këtij trajtimi (të varurit nga droga, personat që nuk kanë aftësi intelektuale për ta ndjekur programin e trajtimit, personat me probleme mendore) drejtohen në institucionet shëndetësore tek një psikolog ose një psikiatër. Profesionistët nga HERA – Qendra e parë familjare, ose nga institucionet shëndetësore e njoftojnë shërbimin e probacionit në afate të caktuara për rrjedhën e trajtimit apo mjekimit, pra për përmbushjen e detyrimeve. Nëpunësit e probacionit dorëzojnë pranë gjykatës një raport çdo katër muaj (nëse mbikëqyrja zgjat një vit) ose gjashtë muaj (kur mbikëqyrja zgjat më shumë se një vit), për rrjedhën e përmbushjes së detyrimeve nga personi i dënuar”, sqarojnë nëpunësit e probacionit.

Deri më tani, për asnjë të dënuar për dhunë në familje nuk është revokuar dënimi me kusht dhe të bëhet zëvendësimi i tij me burg.

“Kjo tregon se mbikëqyrja e këtyre personave zbatohet me sukses. Kjo do të thotë se masat e ndihmës, kujdesit dhe mbrojtjes që i ndërmarrim që personi t’i përmbushë detyrimet e përcaktuara nga gjykata e që kanë për qëllim risocializimin dhe riintegrimin e tij shoqëror, pra parandalimin e recidivizmit, janë efektive dhe për këtë arsye probacioni duhet të zbatohet më shpesh për të gjitha kategoritë e autorëve të veprave penale”, thonë nga Sektori i probacionit.

Autori arratiset jashtë vendit deri sa ta arrijë drejtësia

Megjithatë, mbetet e hapur çështja se sa e sigurt dhe e mbrojtur ndihet viktima duke e ditur që autori i dhunës në familje është në liri, aq më tepër që ndonjëherë kalojnë edhe disa vite nga momenti i denoncimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme deri në momentin e shqiptimit të aktgjykimit për dhunë në familje.

Gjatë këtyre viteve autori i dhunës në familje mund të arratiset, ta përsërisë veprën, ndonjëherë viktima nga frika heq dorë nga ndjekja penale dhe procedura ndërpritet, por ka edhe raste kur të dy, autori dhe viktima, ndërkohë pajtohen.

Për shembull, në një nga rastet gjyqësore, procedura gjyqësore zgjat pothuajse gjashtë vjet, nga viti 2017 deri në vitin 2022, nga momenti kur gruaja e ka denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje e deri në ditën kur atij i është shqiptuar dënimi.

Nga frika se mos e rrahë i shoqi në shkurt të vitit 2017 një grua kthehet në shtëpinë e prindërve me dy vajzat e saj të mitura, ku jetojnë babai dhe vëllai i saj.

Por në shtëpinë e prindërve të saj shkon edhe bashkëshorti i cili e urdhëron të kthehet në shtëpi, por ajo nuk pranon. Pastaj bashkëshorti nxjerr një revolver “EKOL Viper”, e drejton në ajër dhe thërret: “A dëshironi që të dilni gjallë që këtej”, para dy fëmijëve të tyre të mitur. Ai ka qenë nën efektin e alkoolit, ndërsa rasti është denoncuar në polici.

Gruaja në prokurori ka dëshmuar se bashkëshorti “e ka abuzuar vazhdimisht psiqikisht dhe fizikisht, ia ka drejtuar armën dhe e ka kërcënuar, ndërkohë ka konsumuar edhe alkool dhe lëndë narkotike, si dhe ka mbajtur armë në shtëpi”. Ai ka qenë i dënuar edhe më parë për vepra penale.

Akgjykimi për të sillet në dhjetor të vitit 2022, pothuajse gjashtë vjet pas denoncimit. Personi në fjalë ndodhet në arrati, ndërsa atij i konfirmohet dënimi me kusht me dy vjet burgim, të cilën ai nuk do e kryejë nëse brenda pesë viteve nuk kryn një vepër tjetër penale.

Gjykata vendos edhe mbikëqyrje mbrojtëse për dënimin me kusht dhe i cakton detyrime të ndryshme si “zbatimi i detyrimeve për ta mbajtur familjen, për rritjen e fëmijëve dhe detyrime të tjera familjare”, “mos frekuentimi i disa llojeve të lokaleve apo vendeve të tjera ku shërbehen pije alkoolike ose luhen lojëra ”fati”, “ndalimi i përdorimit të pijeve alkoolike, drogave dhe substancave të tjera psikotropike”, “shfrytëzimi i kohës së lirë sipas vlerësimit të organit kompetent në përputhje me ligjin” dhe “shmangia dhe mosshoqërimi me personat që ndikojnë negativisht tek i njëjti”.

“Gjykata ka vlerësuar se në rastin konkret nuk është e domosdoshme që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim efektiv me burgim, sepse shqiptimi dhe ekzekutimi i një dënimi më të rreptë nuk nënkupton arritjen e rezultateve më të mira në risocializimin e të akuzuarit. Gjykata ka konstatuar se me zbatimin e dënimit me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse do të arrihen qëllimet e dënimit dhe do të ndikohet pozitivisht tek i akuzuari nga disa aspekte, ndërsa zbatimi i këtij lloji të sanksionit penal njëkohësisht nuk do të ketë pasoja negative tek i akuzuari dhe nevojat për realizimin e procesit të risocializimit të tij”, thuhet në aktgjykim.

Por, duke marrë parasysh se autori gjendet në arrati, ai nuk mund t’i zbatojë masat e caktuara të probacionit. Prandaj, është e pashmangshme pyetja se ku dështon sistemi, me qenë se numri i denoncimeve për dhunë në familje është në rritje, ndërsa jo të gjithë autorët dënohen sipas ligjeve.

“Edhe pse e kemi miratuar Konventën e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës, raportet e fundit të Komisionit Evropian tregojnë se ne ende nuk kemi zbatim adekuat, pjesërisht për shkak të mungesës së procedurave dhe programeve efektive operacionale, e pjesërisht për shkak të mungesës së financimit.Për fat të keq në vendin tonë ka ende vende ku institucionet nuk e njohin seriozitetin dhe format e ndryshme të dhunës, madje ka edhe raste kur institucionet nuk veprojnë (në mënyrën e duhur) pas denoncimit, për çka dëshmojnë ngjarjet tragjike të të kohëve të fundit”, tha për Stefanija Serdarska nga Organizata joqeveritare HERA.

Ajo shton se ka nevojë për një edukim të vazhdueshëm dhe përforcim të kapaciteteve të profesionistëve, ndërsa sanksionet duhet të jenë vetëm pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin edhe parandalimin e dhunës, komunikimin e vazhdueshëm dhe multisektorial dhe ndjekjen e sanksioneve të shqiptuara, dhe ajo që është më e rëndësishme – rehabilitimin dhe punën me autorët.

Vetëm sanksionimi nuk sjell ndryshime në aspektin e sjelljes së dhunshme dhe në korrigjimin e saj, prandaj edhe nuk e pengon dhunën e mëtutjeshme, shton Serdarska.

(Vazhdon)