Dhuna mes nxënësve, kambanë alarmi në Tetovë (Video)

Rastet e dhunës, sidomos asaj fizike midis nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë janë shqetësuese. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat nga policia. Prindërit shprehen të shqetësuar për këtë problem, ndërsa disa institucione heshtin. Tetova ka formuar Këshill Komunal për Parandalimin e Delikuencës te fëmijët i cili mundohet të punojnë në këtë drejtim, megjithatë ndër problemet kryesore mbetet mungesa e kuadrove profesionist në sholla. Kjo për shkak se pushteti lokal dhe ai qendror me vite nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët. Portalb.mk sjell një analizë gjithëpërfshirëse të këtij problemi.

E hodhën në ajër shokun e klasës, pësoi lëndime të rënda

Rasti shqetësues i dhunës midis nxënësve në shkollën fillore “Istikball” të Tetovës që ndodhi së fundmi kur bashkëmoshatarët dhunuan fizikisht shokun e klasës së tyre, duke e hedhur në lartësi dhe që pas rënies pësoi lëndime të rënda, ngriti alarmin mes banorëve të këtij qyteti.

Prindi i nxënësit e bëri publik rastin në media, ndërsa kërkoi përgjegjësi për lëndimet e djalit të saj nga ana e institucioneve.

Shkolla fillore "Istikball" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shkolla fillore “Istikball” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me këtë rast, Policia e Tetovës ka paraqitur kallëzim penal kundër tre të miturve për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

“SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër tre të miturve nga Tetova, për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit për vepër penale “lëndim i rëndë trupor”. Më 04.01.2024, në një shkollë fillore në Tetovë, të akuzuarit kanë hedhur në lartësi një të mitur tjetër, i cili gjatë rënies ka pësuar lëndime të rënda trupore”, informoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Rastet e tilla, ngritën alarmin te prindërit

Por, rastet e tilla të dhunës midis nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme janë të shpeshta. Prindërit shprehen se dhuna midis nxënësve është problem urgjent i cili kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Mimoza Ceka, prind dhe njëkohësisht mësimdhënëse e gjuhës frënge në shkollën fillore “Liria” në Tetovë shprehet se si prind rastet e tilla të dhunës fizike, por edhe ajo verbale dhe bullizmi janë mjaft shqetësuese, ndërkaq se duhet të punohet në këtë drejtim.

“Dhunë nuk është vetëm dhuna fizike, ajo emocionale është më e dhimbshme se ajo fizike që veç më mund të shërohet. Pjesa që tani më dhemb më tepër është se si prind e kam përgatitur Enisin (djali i saj) të jetë i sjellshëm, i edukuar dhe të mësojë. Por, po e shoh se këto fëmijë që janë të edukuar, të cilët mësojnë, bullizohen shumë më tepër se sa ato të cilët nuk mësojnë ose marrin iniciativën të bëjnë probleme në shkollë, dhe bullizohet ky fëmijë i cili ka vlera dhe jep vlera”, theksoi Ceka.

Ajo theksoi se problem tjetër në këtë drejtim është se fëmijët shpesh nuk kanë kujt t’i besojnë për të raportuar dhunën.

“Pjesa tjetër është se sa fëmija ka besim të raportojë këtë dhunë, qoftë ajo e shkallës së parë, të dytë, të tretë sepse ne pjesën e shkallës së tretë veç më do e shohim. Është irrituese ta kuptoj se fëmija im është dhunuar në shkallën e tretë dhe ta dërgoj në spital është diçka që secili prind do të ndihet në siklet. Prandaj është shumë mirë që secila shkollë, secili mësues t’i detektojë këto raste që janë në shkallën e parë, të merr masa si ekip”, tha Ceka.

Mimoza Ceka, prind dhe mësimdhënëse. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mimoza Ceka, prind dhe mësimdhënëse. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ajo potencoi se sfidë në vete është edhe ajo se ku të raportohen këto raste të dhunës, qoftë si mësimdhënëse, qoftë si prind.

“Për arsye se ndonjëherë kur e shohim se fëmija jonë ose nxënësi jonë ka marrë pjesë në dhunë ose ka qenë viktimë e dhunës, ne nuk kemi ku t’i raportojmë, po flas si prind dhe si mësues, por edhe fëmijët gjithashtu. Kam shumë nxënës, por edhe fëmija tash pas një problemi të vogël ku fëmija im u gjend në një situatë të tillë, kishte frikë edhe mua të më tregojë dhe kjo ishte shumë shqetësuese, se ndoshta ne edhe si prindër nuk po punojmë aq sa duhet me fëmijët që ata të na hapen, dhe ka momente ku sinqerisht ndihem e rrezikuar dhe ndjej rrezik edhe për Enisin (djalin e saj)”, tha Ceka.

Shifrat e Policisë, shqetësuese

Për të parë se si është gjendja faktike e dhunës nëpër shkolla, në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës biseduam me zëdhënësin Fatmir Rexhepi, i cili na sqaroi më hollësisht për këtë problem në dy vitet e fundit. Rexhepi theksoi se kjo vepër dukshëm qëndron në rajonin e Tetovës, por që është në ulje nga viti në vit.

Gjatë vitit 2023 në rajonin e Tetovës me rrethinë janë regjistruar gjithsej 16 ngjarje të raportuara nëpër shkolla, nga të cilat 13 janë zbardhur dhe 2 njoftime në formë të kallëzimeve penale për veprën penale “Dhunë” e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 386 i Kodit penal; 1 njoftim në formën e kallëzimit penal për veprën e kryer “Kanosja me armë të rrezikshme gjatë zënkës apo sherrit” parashikuar dhe e dënueshme nga neni 133 i Kodit Penal, si dhe në Gjykatën Themelore të Tetovës janë dorëzuar 10 kërkesa për ngritjen e procedurës për kundërvajtje, nga të cilat 8 kërkesa nga neni 34 në lidhje me nenin 12 dhe 2 kërkesa nga neni 34 në lidhje me nenin 11 Të Ligjit për shkelje kundër rendit dhe qetësisë publike”, theksoi Rexhepi.

Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërsa nga fillimi i vitit 2024 e deri më 28 maj në zonën e Tetovës me rrethinë janë raportuar 7 ngjarje në shkolla.

“4 ngjarje janë zbardhur, prej të cilave një njoftim për veprën penale “ngacmim në kryerjen e detyrës” është dorëzuar në PTHP Tetovë e dënueshme nga neni 143 të Kodit Penal dhe 3 kërkesa për fillimin e procedurës kundërvajtëse nga neni 34 lidhur me nenin 12 të LShKRQP janë dorëzuar në Gjykatën Themelore të Tetovës”, tha Rexhepi.

Praktika pozitive në këtë drejtim siç theksoi Rexhepi është që dy vitet e fundit nuk ka të regjistruara raste të dhunës me karakter ndëretnik midis shqiptarëve dhe maqedonasve, që në të kaluarën ka qenë problem.

“Kohëve të fundit me projektet parandaluese të cilat Sektori për Punë të Brendshme Tetovë i organizon nëpër shkollat e mesme dhe ato fillore, duke i njoftuar me dallimet midis njerëzve, duke u treguar se paragjykimet në aspektin racor, fetar e kështu me radhë janë të dënueshme me ligj, pra këto vepra i kemi minimizuar gati se në zero dhe këto dy vite nuk kemi pasur asnjë rast të regjistruar me karakter etnik”, tha Rexhepi.

Gjykata e Tetovës me shifra alarmante

Nga Gjykata e Tetovës kërkuam se sa lëndë në katër vitet e fundit janë regjistruar në këtë gjykatë në lidhje me dhunën midis nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme.

Nga gjykata shkurt na njoftuan:

“Gjykata Themelore Tetovë pas kërkimit në sistemin AKMIS të departamentit për informatikë, ju dorëzon këto të dhëna: Në Gjykatën Themelore Tetovë në periudhën 2020-2023 me bazë dhunë ka të regjistruara 197 lëndë dhe 186 aktgjykime të sjella”.

Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Heshtje nga institucionet tjera

Kërkuam dhe të dhëna nga Prokuroria e Tetovës për atë se sa raste të tilla kalojnë nëpër duart e prokurorëve, por nga atje nuk na informuan për këtë temë.

Prokuroria Themelore Publike Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Prokuroria Themelore Publike Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me këtë problem heshtin edhe nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Qendra për Punë Sociale në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qendra për Punë Sociale në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Por pse vjen deri te dhuna, sqaron sociologia Abduli 

Sipas sociologes dhe ligjërueses në Universitetin e Tetovës, Ardita Abduli dhuna midis nxënësve vjen për disa arsye.

“Në korniza të shoqërisë tonë motivet e dhunës shpesh herë janë mostoleranca mes grup moshave, shokëve dhe shoqeve të klasës, kundërshtitë midis ideve të tyre, përbuzja, shprehja e pakënaqësive, xhelozia e tepërt, domethënë këto janë format konkrete”, theksoi Abduli.

Ardita Abduli - sociologe. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ardita Abduli – sociologe. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këshill Komunal për Parandalimin e Delikuencës te Fëmijët

Me 17 maj 2023 u formua Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, i cili është obligim ligjor sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve i cili duhet të themelohet në të gjitha komunat në vend, por që jo të gjitha e kanë formuar.

Ky këshill në Tetovë ka gjithsej 17 anëtarë, edhe atë përfaqësues nga institucione të ndryshme, nga Sektori për Punë të Brendshme, Qendra për Punë Sociale, Këshilli i prindërve të shkollave fillore, të shkollave të mesme, nga Sindikata e Nxënësve të shkollave të mesme, Oda e Avokatëve, Prokuroria, Këshilli i Komunës së Tetovës, universitetet.

Ky këshill deri më tani ka pasur disa aktivitete. Ndërsa së fundmi ata kanë realizuar aktivitete edukuese dhe sensibilizuese në shkollat e mesme, kategori e cila për Këshillin është më kryesore pasi janë grupmoshë që kanë përgjegjësi penale, dhe që sipas tyre duhet të njoftohen edhe me pasojat juridike në rast se kryejnë veprime delikuente dhe të dhunshme.

Ndërsa pas muajit shtator planifikohet që të punohet edhe me nxënësit e shkollave fillore të qytetit.

Këshilli Komunal i Tetovës për parandalimin e delikuencës te të miturit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Këshilli Komunal i Tetovës për parandalimin e delikuencës te të miturit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pjesë e këtij Këshilli është edhe sociologia Abduli. Ajo duke sqaruar eksperiencën gjatë vizitave në shkollat e mesme, tregoi se shumë të rinj, shumë nxënës janë shprehur se fillon se formë e lojës, fillon ngadalë me përqeshje, me përbuzje, me përdorimin e ndonjë nofke të caktuar dhe më pas kalon në ato format e pakënaqësive.

“Viktima edhe atë mënyrën e vetëmbrojtjes, nëse goditet qoftë në aspektin psikik qoftë me ndonjë nofkë apo bullizohet në forma të ndryshme dhe pikërisht këtu mund të shpërthejë dhe situata të komplikohet deri te përdorimi i dhunës fizike, verbale, rrahjet, përdorimi i mjeteve që janë fatale për shëndetin e të rinjve”, tha Abduli.

Ajo theksoi se në takimin e fundit që e kanë pasur me nxënësit e shkollave të mesme është se shumica e nxënësve u deklaruar që shumë pak kishin besim te personeli i shkollës.

Sipas kryetares Ahmedi, problemi duhet të trajtohet nga më shumë subjekte

Profesoresha universitare e së drejtës penale në Universitetin e Evropës Juglindore, Blerta Ahmedi e cila është edhe kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë thekson se dhuna midis bashkëmoshatarëve është fenomen i cili duhet të trajtohet nga ana e shumë subjekteve të cilat janë të përfshira dhe që kanë kompetenca, obligime të punojnë me fëmijët.

“Duke filluar nga personeli i shkollës, personeli profesional siç janë pedagogët dhe psikologët, vetë arsimtarët dhe gjithashtu duhet përmendur rolin e madh që e kanë prindërit e vetë fëmijëve që duhet të bashkëpunojnë gjithmonë me shkollën. Pra trekëndëshi prind-nxënës-shkollë është i domosdoshëm me qëllim që të kemi parandalim të rasteve të tilla por edhe intervenim në ato raste ku të njëjtët veç më kanë ndodhur”, tha Ahmedi.

Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mungesa e kuadrove profesionale në shkolla e thellon problemin

Në këtë drejtim, ka probleme dhe sfida të ndryshme me të cilat ballafaqohen shkollat, vetë nxënësit por edhe personeli i shkollës.

Edhe profesoresha Blerta Ahmedi edhe Ardita Abduli theksuan se një nga problemet kryesore në shkollat e Tetovës është mungesa e kuadrove profesionist.

Proferoresha Ahmedi veçoi dy probleme kryesore të cilat tani më ata veç se i kanë evidentuar nëpër shkolla.

“Problemi i parë është mungesa e sigurisë fizike, respektivisht mungesa e personelit i cili do të jetë prezent dhe do të mbikëqyrë situatën e sigurisë në shkolla. Pra konkretisht do jetë personi që do të jetë në hyrjen e shkollës por edhe do t’i detektojë rastet e ndryshme që mund të ndodhin dhe mund të jenë problematike mes nxënësve. Aktualisht në qytetin tonë nuk e kemi të zgjidhur këtë problem. Janë vetë nxënësit që obligohen të qëndrojnë dhe të humbin ditën nga shkollimi dhe të mbajë evidenca që kush hyn dhe del nga shkolla. Ky është problemi kryesor që është raportuar edhe nga vetë udhëheqësitë e shkollave të qytetit”, tha Ahmedi.

Ndërsa problemi i dytë sipas saj lidhet me mungesën e personelit profesional.

“Konkretisht numri shumë i ulët i këtij personeli që është i punësuar në këto shkolla. Kemi shkolla të mesme që kanë mbi 2 mijë nxënës dhe kemi vetëm një psikolog dhe pedagog të kësaj shkolle, pra është e pamundur që të trajtohen tema të ndryshme që do të ndikonin në parandalimin e këtyre veprimeve devijante”, tha Ahmedi.

Të njëjtën e theksoi edhe sociologia Abduli.

“Nëpër shkolla duhet të ketë edhe personel të shtuar, prania e sociologut, prania e defektologut kur kemi parasysh që kemi shumë nxënës që janë me sjellje asociale dhe ata zakonisht janë pre e dhunës dhe gjitha formave tjera devijante. Mosbesimi që kishin nxënësit te personeli i shkollës është çështje mjaft e dhembshme, këtu duhet të ndërhyhet në forma më adekuate që nxënësit t’i besojnë personelit të shkollës, por në anën tjetër kë ketë më tepër kontrolle nga strukturat në rang më të lartë shtetëror për punën dhe veprimtarinë që e bëjnë personeli i shkollës”, tha Abduli, e cila shtoi se prindërit gjithashtu kanë rolin kryesor në edukimin e fëmijëve dhe këshillimin e fëmijëve.

Shkolla Fillore "Liria" në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shkolla Fillore “Liria” në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht thirrjeve, institucionet nuk gjejnë gjuhë të përbashkët

Edhe në punëtorinë e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës te fëmijët në Tetovë ““Roli i institucioneve edukativo-arsimore dhe komunës në parandalimin e delikuencës së fëmijëve” u theksua se pikërisht gjendjen me këto sjellje negative e përkeqëson edhe mungesa e kuadrove professional në shkolla si ajo e psikologëve.

Në fund të vitit të kaluar, Portalb.mk raportoi mbi këtë temë, ku nga Komuna e Tetovës paten theksuar se gjatë dy viteve të fundit kanë bërë kërkesë për këto kuadro në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Financave, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

Komuna e Tetovës. Foto: Fisnikn Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tetovës. Foto: Fisnikn Xhelili/Portalb.mk

Ndërkaq nga Ministria e Arsimit u patën arsyetuar se do të angazhohet për plotësimin e plotë të shërbimeve profesionale në të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme në vend.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përndryshe, krahas dhunës, në Tetovë situata është alarmante edhe me sjellje tjera devijante të fëmijëve dhe përdorimin e lëndëve narkotike.