Daçiq: Mes të ndaluarve gjatë protestave në Serbi ka qytetarë të Kroacisë dhe Sllovenisë
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se 114 njerëz janë arrestuar pas incidenteve në protesta në të gjithë Serbinë, në mesin e tyre tre shtetas të huaj, nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Çfarë po bën një qytetar kroat në një protestë dhe duke sulmuar xhandarmërinë? Imagjinoni sikur një turmë serbe nga këtu të shkonte në Zagreb dhe ta sulmonte policinë e tyre”, tha Daçiq në një konferencë për media.
Të enjten mbrëma, në Beograd dhe Novi Sad u shënuan sërish incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të thirrura nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.
Daçiq tha se shtetasi slloven i ndaluar është me origjinë serbe dhe se ai “ka përfunduar studimet e inteligjencës në SHBA”.
“Kaq për mungesën e përfshirjes së huaj”, shtoi ai.
Sipas ministrit, 75 oficerë policorë u plagosën gjatë trazirave të së enjtes në mbrëmje dhe deri më tani janë ngritur 34 kallëzime penale dhe janë shqiptuar 28 kundërvajtje.
Ai shtoi se në tri ditët e mëparshme, 121 oficerë policorë u plagosën në incidente në protesta në të gjithë Serbinë, nëntë prej të cilëve rëndë.
Për tri mbrëmje radhazi, protesta antiqeveritare janë organizuar në qytete anembanë Serbisë, gjatë të cilave paralelisht u mblodhën edhe mbështetës të Qeverisë.
Gjatë këtyre tubimeve, të cilat u thirrën nga studentë dhe qytetarë që i mbështetën ata, shpërthyen disa incidente.
Protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët kanë vazhduar në Serbi për më shumë se nëntë muaj, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor.
Qeveria mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe refuzon të shpallë zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat e fundit të organizatorëve të protestave masive.