ChatGPT arriti 120 milionë përdorues në Evropë, BE paralajmëroi rregulla të rrepta

Boti popullor i inteligjencës artificiale gjenerative, ChatGPT, mund të përballet me rregullat më të rrepta të BE-së për platformat, sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), pasi e kaloi shifrën e 120 milionë përdoruesve mujorë në Evropë këtë javë, raporton Euronews.

ChatGPT, boti i inteligjencës artificiale i krijuar nga kompania amerikane OpenAI, mund të jetë subjekt i rregullave më të rrepta të Bashkimit Evropian për platformat, pasi njoftoi të martën se tani ka mbi 120 milionë përdorues aktivë çdo muaj në Evropë – një zëdhënës i Komisionit Evropian la të kuptohet të mërkurën.

Sipas Aktit për Shërbimet Digjitale të BE-së (DSA), i cili synon të luftojë përhapjen e përmbajtjes dhe produkteve të paligjshme në internet, platformat më të mëdha përballen me rregulla më të rrepta sesa ato më të voglat, për shkak të ndikimit të madh shoqëror që kanë – përfshirë edhe potencialin për të përhapur përmbajtje të dëmshme dhe dezinformim.

Platformat që kanë më shumë se 45 milionë përdorues mujorë, si Amazon, X (ish-Twitter), TikTok dhe Facebook e Instagram të Metës, duhet të përmbushin detyrime më të larta për transparencën dhe të paguajnë tarifa më të larta mbikëqyrjeje, në mënyrë që Komisioni të mund të monitorojë nga afër masat që marrin për të luftuar përmbajtjen e paligjshme.

Platformat janë të detyruara ta njoftojnë Komisionin Europian për numrin e përdoruesve në bllokun prej 27 shtetesh çdo gjashtë muaj.

OpenAI tha në një deklaratë të martën se “për periudhën gjashtëmujore që përfundon më 30 shtator 2025, kërkimi në ChatGPT kishte mesatarisht rreth 120.4 milionë përdorues aktivë mujorë në Bashkimin Europian.”

“Ky numër përfaqëson një mesatare mujore të përdoruesve me bazë në BE që kanë përdorur funksionin e kërkimit në ChatGPT gjatë gjashtë muajve të fundit – dhe jo përdorimin total të ChatGPT,” thuhej më tej në raport.

ChatGPT deklaroi në shtator se ka rreth 700 milionë përdorues aktivë në javë në nivel global.

I pyetur gjatë një konference për shtyp në Bruksel të mërkurën, zëdhënësi i Komisionit tha se ekzekutivi i BE-së është në dijeni të shifrave të reja të ChatGPT dhe se ka filluar një vlerësim.

“Mund të jetë potencialisht brenda fushës së DSA-së – kjo analizë duhet të bëhet rast pas rasti,” shtoi ai.

Komisioni përdor shifrat e dhëna nga vetë platformat për të përcaktuar nëse ato e kalojnë pragun prej 45 milionë përdoruesish.

Nëse boti do të përfshihej në listën e platformave të mëdha nën DSA, numri total i tyre do të shkonte në 26.