Çfarë pasurie ka deklaruar Izet Mexhiti, njëri ndër liderët e VLEN-it?
Kryetari aktual i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, është një nga dy kryetarët e koalicionit qeverisës VLEN, i cili u bë parti. Bashkëkryetari tjetër është Bilall Kasami, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, transmeton Portalb.mk.
eMagazine shqyrtoi se çfarë pasurie deklaroi Mexhiti në Komisionin Kundër Korrupsionit kur u bë kryetar i Komunës së Çairit për herë të katërt.
Sipas të dhënave që ai ka deklaruar në Komisionin Kundër Korrupsionit kur mori mandatin e katërt në Komunën e Çairit, Mexhiti nuk ka pasuri të paluajtshme në emrin e tij. Ai figuron se jeton në shtëpinë e prindërve, në vlerë prej 9.200.000 denarësh, ndërsa posedon një veturë të markës Peugeot në vlerë prej 1.359.000 denarësh.
Në Maqedoninë e Veriut kjo tashmë duket se është bërë praktikë e njohur, zyrtarë që në formularët e Antikorrupsionit shpesh figurojnë pa prona personale, ndërsa pasuritë “strehohen” te prindërit apo familjarët. Edhe vetë ekspertët kanë paralajmëruar se pa digjitalizim dhe kontroll më efikas, verifikimi real i pasurisë së funksionarëve mbetet i vështirë.
Ndryshe, megjithëse softueri për verifikimin e pasurive të zyrtarëve është vënë në funksion, ai ende nuk operon plotësisht për shkak të mungesës së integrimit me të gjitha institucionet që posedojnë të dhëna kyçe.
Aktualisht, sistemi i Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është i lidhur vetëm me disa institucione si MPB-ja, DAP-i, Regjistri Qendror dhe Kadastra, ndërsa procesi i integrimit me institucionet e tjera vazhdon pa një afat konkret për përfundim. Kjo nënkupton se verifikimi i pasurisë së funksionarëve mbetet ende i pjesshëm dhe në shumë raste kërkon kontrolle manuale.
Në mungesë të një sistemi tërësisht të automatizuar dhe të një ligji funksional për prejardhjen e pasurisë, institucionet vazhdojnë të kenë vështirësi në evidentimin e plotë të pronës së zyrtarëve, sidomos në rastet kur pasuria nuk figuron drejtpërdrejt në emrin e tyre.