Çfarë është sistemi AKIS në bujqësi dhe sa funksional është në Maqedoninë e Veriut?

Sistemi Evropian i Njohurive dhe Inovacionit Bujqësor – AKIS është sistem që lidh njerëzit dhe organizatat për të promovuar mësimin e ndërsjellë, për të gjeneruar, ndarë dhe përdorur teknologjinë, njohurinë dhe informacionin e lidhur me bujqësinë. Ky sistem në Maqedoninë e Veriut është i fragmentuar dhe jofunksional, tregoi një raport i Shoqatës së Ekonomistëve Bujqësorë të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Përbërësit e një AKIS-i janë aktorë të ndryshëm nga sektorët privatë, publikë dhe jofitimprurës që lidhen me bujqësinë. Sistemi mund të përfshijë aktorë të tillë si fermerët, punëtorët e fermave, edukatorët e bujqësisë, studiuesit, ekspertët joakademikë, këshilltarët privatë publikë dhe të pavarur, aktorët e zinxhirit të furnizimit dhe aktorë të tjerë në sektorin bujqësor.

Gjatë një debati të Konventës Nacionale për BE, u theksua roli dhe përfitimet e këtij sistemi i njohur si AKIS, i cili shpreh qasjen e zhvilluar ndërsektoriale të Politikës së re të Përbashkët Bujqësore. (2021/ 2027).

Ana Simonovska nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup, theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërsektorial ndërmjet të gjitha segmenteve që janë pjesë e sistemit AKIS, duke bërë një krahasim me organizmin e njeriut, ku për funksionimin normal të tij kërkohet lidhja dhe “bashkëpunimi” i të gjitha organeve.

Në të njëjtën kohë, u theksua nevoja për të forcuar kapacitetet dhe për të zhvilluar bashkëpunimin dypalësh midis të gjitha palëve të interesuara në sistemin AKIS përmes futjes së një organi koordinues që do të koordinojë dhe inkurajojë shkëmbimin e informacionit, njohurive dhe inovacioneve të nevojshme ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve. Ajo theksoi se bashkëpunimi është besim, nëse nuk ka besim, nuk do të ketë bashkëpunim për bartjen e dijes.

Bujqësi, tokë, duhan
Bujqësi, foto: Suad Bajrami

Përmes shembujve dhe përvojave praktike nga terreni, të përcjella nga Biljana Petrovska Mitrevska nga Federata Kombëtare e Fermerëve, u theksua nevoja për zbatimin sa më të shpejtë të sistemit AKIS në vendin tonë, si nevojë e domosdoshme që fermerët të përballen më lehtë dhe më me sukses me sfidat e bujqësisë moderne si ndryshimi i klimës, vendosja e produkteve dhe nevoja në rritje për ujë dhe ushqim.

“Qëllimi përfundimtar i këtij sistemi është fuqizimi i fermerëve me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për t’u përballur me sfida të tilla si: përdorimi optimal i burimeve, rritja e përfitimit dhe konkurrueshmërisë, ballafaqimi me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe sfida të tjera për bujqësinë moderne”, u tha gjatë diskutimit.

AKIS-i në Maqedoninë e Veriut i fragmentuar dhe jofunksional

Raport i Shoqatës së Ekonomistëve Bujqësorë të Maqedonisë së Veriut ka konstatuar se ky sistem në vedin tonë është i fragmentuar dhe jofunksional.

• AKIS-i kombëtar përmban shumë aktorë që kanë marrëdhënie informale mes njëri-tjetrit dhe role dhe pozicione të papërcaktuara në sistem.
• Ekzistojnë gjithashtu marrëdhënie të dobëta bashkëpunimi (dhe konkurruese) ndërmjet aktorëve
• Ka pasur progres të caktuar në planifikimin strategjik për AKIS-in kombëtar në dy vitet e fundit  edhe atë

  • Hulumtimi i kapaciteteve të kërkimit, inovacionit dhe transferimit të teknologjisë (RITT) në vend (gjatë periudhës 2019-2020)
  • Hetimi i gjendjes së zhvillimit të AKIS-it kombëtar dhe procesit të inovacionit në sektorin agroushqimor (gjatë vitit 2021)
  •  Hartimi i AKIS-it kombëtar me institucionet ekzistuese dhe ato që mungojnë dhe ndërlidhjet ndërmjet tyre si hapi i parë drejt ndërtimit të një AKIS kombëtar funksional dhe të integruar (gjatë vitit 2022)
    • Analiza SWOT me fokus në AKIS kombëtare për të vendosur bazat për zhvillimin e dokumenteve strategjike për zhvillimin e një AKIS kombëtar (gjatë vitit 2022)
    • Përgatitja e një Udhërrëfyesi drejt AKIS funksional kombëtar (gjatë vitit 2022)
    • Përgatitja e një Plani Veprimi për zhvillimin e një AKIS-i funksional (dhe të integruar) kombëtar (gjatë vitit 2022)

Mund të konkludohet se sistemi AKIS në Maqedoninë e Veriut përmban pothuajse të gjitha elementet dhe institucionet, por bazohet në marrëdhënie joformale dhe role dhe pozicione të padefinuara të palëve ekzistuese të interesit.

Inspektoriati Shtetëror për Bujqësi - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Inspektoriati Shtetëror për Bujqësi – Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ekziston një numër i madh i institucioneve me kompetenca të njëjta ose të ngjashme, duke e vështirësuar procesin e koordinimit të tyre. Ekziston gjithashtu bashkëpunimi i dobët dhe marrëdhëniet konkurruese midis tyre institucionet arsimore dhe kërkimore. Një nga mangësitë kryesore të sistemit është mungesa e infrastrukturës dhe financave për të mbështetur kërkimin bashkëkohor që do të zgjidhte problemet reale dhe do të prezantonte zgjidhje novatore në sektorin e bujqësisë.

Sektori i bujqësisë në Maqedoninë e Veriut është teknologjikisht prapa zhvillimeve në krahasim me vendet e BE-së

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në dhjetor të vitit 2023, miratoi Ligjin për shërbime këshillimore në bujqësi dhe zhvillim rural, me propozim të Ministrisë së Bujqësisë. Një reformë e rëndësishme që kontribuon në mbështetje edhe më të madhe në zhvillimin e bujqësisë maqedonase dhe komuniteteve rurale.

Kjo zgjidhje ligjore ofron bazën për ngritjen e Sistemit të Dijes dhe Inovacionit në Bujqësi, i njohur si AKIS, i cili aktualisht është fusha kryesore strategjike për zhvillim në Bashkimin Evropian.

“Me futjen e këtij sistemi, ne do të jemi shteti i parë në rajon që ka vendosur me sukses këtë sistem të rëndësishëm për të mbështetur fermerët”, njoftuan atëkohë nga Ministria e Bujqësisë.

Zhvillimi i një AKIS-i funksional kombëtar është një domosdoshmëri urgjente për vendin, veçanërisht për rritjen e rentabilitetit të bujqësisë dhe qëndrueshmërisë së zonave rurale.

Ekzistojnë vende të cilat kanë AKIS të fragmentuar por janë funksionale, ndër to është Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa ato me AKIS pjesërisht të integruar dhe funksional janë Gjermania, Finlanda etj.

Kujtojmë se as aktualisht as pozita e fermerëve në Evropë nuk është në periudhën më të mirë. Në rreth gjysmën e vendeve anëtare të BE-së ka pasur protesta dhe demonstrata të fermerëve kundër politikës bujqësore kombëtare dhe evropiane në fund të shkurtit 2024 për arsye të ndryshme.

Në Gjermani, fermerët janë të shqetësuar për uljen e planifikuar të subvencioneve për karburante. Në Poloni dhe vende të tjera të Evropës Lindore, fermerët po bllokojnë rrugët dhe pikat kufitare sepse duan të parandalojnë importet e lira nga Ukraina.