Bursa për nxënësit e shkollave të mesme në Shkup

Nxënësit e shkollave të mesme në Qytetin e Shkupit të përfshirë në sport, do të mund të aplikojnë në Thirrjen publike për ndarjen e mjeteve financiare (bursa) në vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

“Lëndë e thirrjes publike është ndarja e mjeteve financiare (bursa) në vitin 2024 sportistëve – nxënës të shkollave të mesme në territorin e qytetit të Shkupit, banorë të Shkupit, me qëllim rritjen e motivimit të sportistëve të rinj – nxënësit e shkollave të merren me sport, të vazhdojnë dhe të qëndrojnë edhe më tej në sport, si dhe rritjen e përfshirjes të sa më shumë nxënësve për t’u angazhuar në sport dhe aktivitete sportive”, sqarohet në Konkurs.

Të drejtë për pjesëmarrje në këtë konkurs kanë edhe nxënësit e çrregullt, nxënësit duhet të jenë sportistë aktivë në ndonjë ekip dhe të kenë arritur rezultate të larta sportive.

“Vlera totale neto e bursës individuale për sportistë – nxënës të shkollave të mesme në territorin e qytetit të Shkupit është 24.000 (njëzet e katër mijë) denarë me tatim mbi të ardhurat personale të paguar”, theksohet në Konkurs.

Aplikimi duhet të bëhet deri më 13 gusht në Arkivin e Qytetit të Shkupit (baraka 16).