Bullgaria nuk e kërkon Iva Mihaillovën dhe nuk do ta ekstradojë në Maqedoni
Autoritetet bullgare nuk kanë ndërmarrë masa për të përcaktuar se ku ndodhet Iva Mihaillova në territorin e vendit, pasi Maqedonia e Veriut kërkoi arrestimin dhe ekstradimin e saj. Këtë e bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë, në lidhje me, siç thotë, pyetjet e shumta të mediave, transmeton Portalb.mk.
“Më 13 tetor, në orën 19:38, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Operativ (DMOS) mori mesazh nga Interpoli – Shkup, me kërkesë për kërkim ndërkombëtar, arrestim dhe ekstradim të Ivа Mihaillovës, e cila është shtetase e Bullgarisë dhe e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin të ministrisë bullgare.
Nga ministria shtojnë se në mesazh thuhej se ajo ndiqet penalisht për shkelje të rregullave të komunikacionit rrugor, vepër penale e paraparë në nenin 300 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.
“Në të njëjtën datë, më 13 tetor 2026, Gjykata në Koçan lëshoi fletarrest për të. Megjithatë, aktualisht nuk është lëshuar fletarrest i kuq i Interpolit për Mihaillovën”, thuhet më tej në njoftim.
Autoritetet bullgare gjithashtu bëjnë të ditur se nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të përcaktuar se ku ndodhet Mihaillova në Bullgari.
Ministria e Punëve të Brendshme rikujton dispozitat kushtetuese që rregullojnë ekstradimin e shtetasve bullgarë në një vend tjetër për ndjekje penale.
“Sipas nenit 25, paragrafit 4 të Kushtetutës së Bullgarisë, një shtetas bullgar mund të ekstradohet në një vend tjetër ose në një gjykatë ndërkombëtare për qëllime të ndjekjes penale vetëm nëse kjo parashihet në një marrëveshje ndërkombëtare që është ratifikuar, publikuar dhe ka hyrë në fuqi për vendin”, shtojnë nga ministria.
Autoritetet i referohen gjithashtu nenit 6, paragrafit 1a të Konventës Evropiane për Ekstradimin, sipas të cilit secila palë kontraktuese ka të drejtë të refuzojë ekstradimin e shtetasve të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dje lëshoi fletarrest qendror dhe ndërkombëtar për Ivа Mihaillovën, pasi Gjykata Themelore në Koçan paraprakisht i caktoi asaj 30 ditë paraburgim.
Një ditë më parë, mediat bullgare raportuan se Mihaillova ndodhet në Bullgari, ndonëse më herët i ishin konfiskuar të dy pasaportat, ajo maqedonase dhe ajo bullgare, si pjesë e masave parandaluese që duhej ta pengonin largimin e saj nga vendi.
Në një deklaratë për televizionin bullgar BTV, ajo tha se kishte vendosur të shkonte në Bullgari për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe se këtë e kishte bërë me dokumentet e saj të identifikimit. Sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, ditëve të fundit nuk është evidentuar asnjë dalje e ligjshme e Mihaillovës nga vendi dhe as hyrje e ligjshme e saj në Bullgari. E njëjta vlen edhe për avokatin Nikolaj Dimitrov, i cili pretendonte se e kishte shoqëruar atë.
Ndërkaq, sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se largimi i Mihaillovës drejt Bullgarisë kishte ndodhur para ardhjes së konsiliumit mjekësor bullgar në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, kontrollet nga mjekët e huaj dhe ata vendas do të tregonin shpejt se nuk ekzistojnë arsye mjekësore për trajtimin e saj jashtë vendit.
“Arratisja ndodhi për shkak të ardhjes së konsiliumit bullgar këtu. Ai duhej që, së bashku me mjekët e Maqedonisë, t’i verifikonte pretendimet e personit në fjalë. Mendoj se atëherë gjërat do të dilnin në shesh ashtu siç janë. Unë do të udhëtoj në Sofje dhe do të bisedoj me ministrinë e tyre, sepse në thelb këtu nuk kemi një rast shëndetësor”, theksoi Klekovski gjatë vizitës së sotme në Spitalin Klinik të Shtipit.
Kundër Mihailovës, banore e Koçanit me shtetësi maqedonase dhe bullgare, po zhvillohet procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale. Gjatë procesit, ajo pretendonte se ishte viktimë e diskriminimit për shkak të shtetësisë së dyfishtë maqedonase dhe bullgare dhe se nuk i lejohej të shkonte për trajtim mjekësor në Bullgari.
Javën e kaluar, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, gjatë vizitës në Sofje dhe takimit me homologen e tij, Velislava Petrova-Çamova, njoftoi se autoritetet maqedonase janë të gatshme të mundësojnë ardhjen e specialistëve mjekësorë nga Bullgaria, të cilët do ta kontrollonin drejtpërdrejt Mihaillovën.
Mucunski theksoi atëherë se rasti duhet të ndahet rreptësisht në pjesën gjyqësore, në të cilën pushteti ekzekutiv nuk ka të drejtë të ndërhyjë, dhe në pjesën shëndetësore, për të cilën shteti ka treguar bashkëpunim maksimal.
Ai tha se, pasi çështja ishte ngritur nga pala bullgare, autoritetet maqedonase, në shenjë vullneti të mirë, kishin ofruar që mjekët bullgarë ta vizitonin vendin për t’u siguruar se Mihaillovës po i ofrohej trajtimi i duhur shëndetësor.
Ministrja bullgare e përshëndeti gatishmërinë e palës maqedonase për të mundësuar kontrollin nga mjekët bullgarë, por theksoi se është e rëndësishme që kjo të çojë drejt trajtimit sa më të shpejtë.
Sipas saj, bëhet fjalë për një rast humanitar dhe ajo shpreson se do të arrihet rezultati më i mirë, përkatësisht që Mihaillova të shërohet sa më shpejt. Në sqarimin e mëtejshëm të rastit, ajo theksoi se nuk ishin vendosur kushte për kontrollin mjekësor dhe se kërkesa ishte parashtruar nga disa përfaqësues të palës bullgare.