BRISHTËSIA E QYTETËRIMIT…

Ndërprerja e përkohshme e energjisë elektrike në disa rajone të Portugalisë dhe të Spanjës dëshmoi për brishtësinë e qytetërimit tonë. Sakaq aty ngriu industria, transporti dhe telekomunikacioni. Qytetërimi sakaq u rikthye aty në epokën paraindustriale.

Me rënien e territ pasoi kaosi, paniku dhe ankthi. U shpall gjendja e emergjencës. Nuk munguan teoritë e komplotit. Qytetet mbetën pa reklama. Pushuan së funksionuari pompat e ujit, metrotë, tramvajet, aeroportet, ashensorët, semaforët, celularët, TV, radiot dhe interneti. Bankomatet dolën jashtë përdorimit. Paratë e gatshme i zëvendësuan kartelat bankare. U mbushën bagazhet nga frika se mund të kishte më shumë para sesa ushqime. U rikthyen qirinjtë. Shkallët i zëvendësuan ashensorët. Pushuan aktivitetet arsimore, kulturore dhe sportive. Të zymta u bënë kafenetë dhe restorantet.

Me fikjen e dritave pushuan lajmet dhe u ndezën alarmet e shpirtit të njeriut modern, që nuk e kishte çuar ndërmend se terri mund të rikthehej befas në epokën tonë.

Përse frikësohet kaq shumë njeriu modern? A nuk ka jetuar njerëzimi shumë më gjatë pa energji elektrike?

Pa këtë burim energjie pasojat do të ishin të mëdha për qytetërimin. Nga kjo energji varet komunikimi, transporti, spitalet, institucionet financiare, ushtria. Mungesa e energjisë elektrike do ta ndryshonte rrënjësisht mënyrën e jetesës, do të ndikonte në mirëqenien e njerëzve, por nuk do ta shuante ekzistencën njerëzore. Ajo më shumë rrezikohet në një qytetërim me energji elektrike, por pa ngrohtësi zemre.

Njeriu i mësuar të jetojë sipas kodeve të këtij qytetërimi, do ta kishte të vështirë rikthimin në një gjendje më pak të zhvilluar. Ai do të humbte shumëçka. Do të bëhej gati e pamundur jeta në megapolise. Megjithatë, ndërprerja e energjisë elektrike nuk do t’i prekte disa sfera. Nuk do të ndikonte në letërsi, teatër, filozofi, muzikë, pikturë… Shumë kryevepra u krijuan në kohën kur nuk kishte energji elektrike.

Njeriu do të shpikë shumë mjete, por jo edhe ndjenja të reja njerëzore… Njeriu vetëm mund t’i humb disa ndjenja.

Në një film fantastiko – shkencor, jashtëtokësorët vijnë në botën tonë jo për ta pushtuar dhe për t’i shfrytëzuar kapacitetet energjetike, por për të huazuar ndjenja. Duke jetuar në një botë të përparuar teknologjike, i kanë humbur ato. A shkon edhe qytetërimi ynë drejt kësaj gjendjeje?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre