Brezi i ri në skenë: Koncerti vjetor i SHKA “Xheladin Zeqiri” pritet të sjellë sonte spektakël kulturor në Tetovë

Sonte në Qendrën për Kulturë në Tetovë, me fillim nga ora 19:00, do të mbahet koncerti vjetor i Shoqërisë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”-Tetovë. Ky koncert është një manifestim i trashëgimisë kulturore dhe një dëshmi e përkushtimit të brezave të rinj për ta ruajtur dhe përçuar artin e pasur shqiptar në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Jeton Pustina udhëheqës artistik i SHKA “Xheladin Zeqiri” për Portalb.mk tha se sonte nuk është vetëm një koncert, por një vazhdimësi e shpirtit kulturor të Tetovës. ‘Xheladin Zeqiri’ është bërë simbol i traditës, vendi ku lindin talentet e reja dhe ku ruhet kujtesa e 80 viteve të artit e kulturës sonë.

“Sonte është koncerti tradicional i Shoqërisë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri”-Tetovë. Këtë koncert çdo vit e organizojmë në muaj nëntor, për arsye se muaji nëntor është muaj i shenjtë për shqiptarët. Çdo herë, detyrim i neve udhëheqësve është të nxjerrim talent të rinj. Edhe sonte, programi do të jetë i ndarë me fëmijët, me talentet e rinj dhe me gjeneratën më të vjetër. Si çdo herë në repertorin tonë, kemi këngë dhe valle të krahinave të ndryshme, por mbi të gjitha që është më kryesorja, qytetarët e presin me padurim.

Mbase tani më “Xheladin Zeqiri është është etablus i një brendi kulturori i qytetit tonë, por edhe suksesi i Korit të Grave “Teuta” që e kishim në Shqipëri, e bënë të vetën që interesimi të shtohet edhe më shumë. Sido që të jetë Xheladin Zeqiri vazhdon traditën për të nxjerrë talent të rinj, por edhe ta vazhdojë traditën e nisur para 80-të viteve në qytetin tonë. Është një institucion kulturor, nga të cilët ku kanë funksionuar njerëz, të cilët më vonë kanë themeluar Institucione të tjera Kulturore, Grupe Sportive, Shkolla, Universitete e kështu me radhë”, tha Pustina.

Ai shtoi se sonte për herë të parë do t’i prezantojnë 100 fëmijë dhe të rinj.

“Për herë të parë sonte do të nxjerrim në skenë afër 100 fëmijë dhe të rinj. Do të jetë kjo një ngjarje shumë e madhe. Interesim ka fëmijët dhe të rinjtë e duan kulturën, e duan artin vetëm ne duhet të jemi ata që do ti shtymë dhe t’i bëjmë që të jenë pjesë e skenës”, tha Pustina.

Afishja e koncerti vjetor të SHKA ‘Xheladin Zeqiri’. Foto: SHKA “Xehladin Zeqiri” (Facebook)
Afishja e koncerti vjetor të SHKA ‘Xheladin Zeqiri’. Foto: SHKA “Xehladin Zeqiri” (Facebook)