Brenda tre ditëve, 109 persona të lënduar në zjarrin në Koçan dorëzuan propozimet dhe kërkesat e tyre në Qeveri

Brenda tre ditëve, 109 persona të lënduar nga Koçani i kanë dorëzuar kërkesat dhe propozimet e tyre, i inkurajojmë edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“109 qytetarë brenda tre ditëve nga hapja e linjës telefonike për personat e lënduar dhe familjet e tyre, e cila është në komunikim të drejtpërdrejtë mezZyrën e Kryeministrit, e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe kanë dorëzuar kërkesat dhe propozimet e tyre. Kjo tregon se kjo linjë telefonike jep rezultate dhe se Qeveria është e hapur për çdo sugjerim dhe ide”, thuhet në njoftim.

Qeveria shton se një ekip mjekësh, nga data 10 qershor deri më 20 gusht, në qendrën rehabilituese në Ponikva, do të ofrojë kujdes të mëtejshëm mjekësor për të gjithë personat, por edhe mbështetje psikologjike.

“Prandaj, i ftojmë dhe i inkurajojmë të gjithë personat e lënduar të prekur të lajmërohen në numrin e telefonit 070/355-526 dhe të shprehin kërkesat dhe nevojat e tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.