“Bota Serbe” përplas sërish VLEN-in dhe BDI-në

Dy blloqet politike shqiptare, VLEN nga pushteti dhe BDI nga opozita kanë akuzuar sërish njëra-tjetrën se kush është më afër ‘Botës Serbe’, raporton Portalb.mk.

Fillimisht VLEN nxori një dokument, nga një komunikatë e Presidencës së Serbisë me të cilin thonë se e fundos propagandën e BDI-së ndaj tyre për ‘Botën Serbe”.

“Komunikata zyrtare e Presidencës së Serbisë, pas takimit të presidentit Aleksandar Vuçiq me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, humbësin e gjithanshëm, Bujar Osmanin, dëshmon qartë se në mesin e temave të diskutuara ishte edhe avancimi i pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga VLEN.

Ata shtojnë se ky dokument tregon se gjatë viteve në pushtet, BDI asnjëherë nuk e pati prioritet çështjen shqiptare.

“Kjo është dëshmia që rrëzon të gjithë teatrin politik të BDI-së. Ata që sot bërtasin më së shumti për “botën serbe”, janë pikërisht ata që dje uleshin në tavolina ku diskutoheshin tema që nuk kishin të bënin me prioritetet e shqiptarëve, ndërsa sot përpiqen t’ua faturojnë të tjerëve”, thonë nga VLEN.

Nga ana tjetër, BDI thotë se VLEN është e dëshpëruar pasi kanë arritur deri aty sa takimet zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme t’i paraqesin si përcaktime politike, ndërsa bashkëqeverisjen e përditshme me mohues të pavarësisë së Kosovës, mohues të gjenocidit në Srebrenicë dhe relativizues të Marrëveshjes së Ohrit ta paraqesin si normalitet.

“Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh. Diplomacia ekziston pikërisht për t’u takuar me ata me të cilët nuk pajtohesh, për të mbrojtur interesat e shtetit tënd dhe për të avancuar pozicionet e tij. Takimet diplomatike janë detyrim kushtetues. Bashkëqeverisja është zgjedhje politike”, thonë nga BDI.

Nga aty theksojnë se komunikata që e kanë publikuar nga VLEN është komunikatë e Presidencës së Serbisë, e cila shpreh qëndrimet dhe prioritetet e saj, jo të Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç thonë, kjo është praktikë normale në çdo marrëdhënie diplomatike.

 Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “ShëSavës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq. Kjo temë u hap edhe më 12 shtator 2025 me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit nga delegacioni serb dhe mesazhet që u përcollën.

Kujotjmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.