Të paktën 39 të vdekur pas përplasjes së dy trenave në Spanjë
Numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë është rritur në 39 dhe 152 persona të tjerë janë plagosur, raportoi transmetuesi shtetëror spanjoll RTVE, duke u thirrur në burime policore, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Paraprakisht, autoritetet spanjolle kishin konfirmuar vdekjen e 21 personave, pasi të dielën një tren i shpejtë doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër që po vinte në drejtim të kundërt në jug të Spanjës.
Aksidenti ndodhi në afërsi të Adamuzit, provincë e Kordobës, që gjendet rreth 360 kilometra në jug të kryeqytetit, Madrid.
Mëngjesin e së hënës, kreu i Qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, paralajmëroi për mundësinë e rritjes së numrit të viktimave, pasi njoftoi se disa nga të shtruarit në spital ishin në gjendje të rëndë.
“Forca e aksidentit ka qenë shumë e madhe… ka gjasa të gjejmë [edhe] trupa të tjerë”, tha Moreno, duke shtuar se do të nevojiten mjete të rënda për të larguar pjesët metalike të shkatërruara të trenave, në mënyrë që të tentohet të lokalizohen viktimat e tjera të mundshme.