BE mesazh ngushëllimi për presidentin iranian që humbi jetën në aksidentin me helikopter

Bashkimi Evropian (BE) publikoi mesazh ngushëllimi për presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi dhe ministrin e Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian të cilët humbën jetën në aksidentin me helikopter, transmeton Anadolu.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në një postim nga llogaria e tij X përcolli “ngushëllimet më të sinqerta të BE-së” për Raisin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit përfshirë Abdollahian si dhe të ekuipazhit të cilët humbën jetën në aksidentin e helikopterit.

“Mendimet tona janë bashkë me familjet e tyre”, tha Michel.

Dje BE-ja vuri në dukje se po “ndjekin nga afër aksidentin” dhe njoftoi se me kërkesë të Iranit u aktivizua Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave Copernicus.

– Aksidenti i helikopterit

Presidenti Raisi dje mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një dige në kufirin Iran-Azerbajxhan, duke udhëtuar me helikopter. Bashkë me Raisin, edhe ministri i Punëve të Jashtme Hossein Amir-Abdollahian dhe disa zyrtarë të tjerë pësuan aksident me helikopter gjatë kthimit.

Me kërkesë të Iranit, Türkiye e caktoi për aktivitetet e kërkimit mjetin pa pilot (dronin) Akıncı. Droni Akıncı, koordinatat e rrënojave të helikopterit që lokalizoi i ndau me autoritetet iraniane.

Ekipet iraniane që mbërritën në pikën e lokalizuar konstatuan se nuk kishte të mbijetuar nga aksidenti. Këshilli i Mbrojtësve të Kushtetutës Iraniane tha se në kuadër të Kushtetutës detyrën e presidentit do ta marrë zëvendëspresidenti i parë, Mohammad Mokhber pas miratimit nga lideri i vendit, Ali Khamenei.

Sipas Kushtetutës së Iranit, bordi i përbërë nga kryetari i parlamentit, kreu i gjyqësorit dhe zëvendëspresidenti i parë duhet të bëjnë rregulloren me qëllim për zgjedhjen e presidentit të ri brenda 50 ditësh.

Presidenti në Iran zgjidhet nga populli mes kandidatëve të miratuar nga Këshilli i Mbrojtësve të Kushtetutës.