BDI reagon për gjuhën shqipe pas largimit nga pushteti: Do të kërkojmë llogari

Raportimi i Portalb.mk për shpërfilljen e gjuhës shqipe nga ana e Qeverisë, ka ngjallur reagimin e Bashkimi Demokratik për Integrim, parti që deri para gati se një viti ishte në pushtet dhe që situata nuk është se ishte më ndryshe. Madje, gjatë periudhës që kryeministër teknik ishte Talat Xhaferi, Qeveria nuk u përgjigjej fare gazetarëve. Ndërkohë, dërgimi i komunkatave me vonesë në gjuhën shqipe është trashëguar pikërisht nga kjo parti, shkruan Portalb.mk.

Megjithatë, pas kalimit në opozitë, reagimet e BDI-së për parregullsitë e Qeverisë aktuale, bëhen me shpejtësinë e dritës. Pas raportimit të Portalb.mk, se Qeveria aktuale po injoron gjuhën shqipe, ka reaguar BDI-ja, e cila papritur “shpreh shqetësim të thellë për neglizhimin e vazhdueshëm të përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Përdorimi i barabartë i gjuhëve zyrtare nuk është çështje teknike apo preferencë politike, është obligim ligjor, vlerë e bashkëjetesës dhe bazë e rendit demokratik. Prej kohësh, qytetarët shqiptarë ndihen të përjashtuar nga e drejta për qasje të barabartë në informacionet publike që burojnë nga institucionet shtetërore. Mungesa e shqipes, përkthimeve, përditësimet e vonuara dhe faqet zyrtare të paplotësuara në gjuhën shqipe janë dëshmi të qarta të një qasjeje përjashtuese që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kur thonë prej kohësh, nuk e dimë nëse me këtë nënkuptojnë edhe kohën kur shqipja injorohej pikërisht edhe nga ata vetë kur ishin në pushtet.

Kjo parti u bën thirrje institucioneve që gjuhën shqipe ta shohin si pasuri të përbashkët dhe si detyrim që forcon unitetin e shtetit.

“Barazia, përfshirja dhe transparenca nuk mund të mbeten slogane, ato duhet të ndihen në jetën e përditshme të çdo qytetari”, thuhet në reagim.

BDI shton se do ta ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të kërkojë llogari nga institucionet për këtë qasje diskriminuese, por nuk ishte llogaridhënëse kur raportonim se e njëjta ndodhte gjatë kohës që ajo qeveriste.

Ndryshe, sa u përket  komunikatave të Qeverisë, situata nuk ka ndryshuar shumë nga koha e BDI-së, madje është vërejtur pak përmirësim, përjashtuar këtu periudhën kur ishte Qeveria teknike, që komunikatat dërgoheshin në të njëjtën kohë në të dyja gjuhët.

Çdo komunikatë fillimisht dërgohet në maqedonisht, pastaj pas gjysmë apo një ore dërgohet në të dyja gjuhët njëherësh. Për dallim nga më herët, komunikatat në shqip tani dërgohen më shpejtë.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit, pikërisht kur qeveriste BDI-LSDM. Në shikim të parë në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.