BDI: Qeveria pa paralajmërim ka rritur çmimin e energjisë elektrike për mbi 65.000 kompani me mbi 50% 

Marrë parasysh ankesat e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, BDI thotë se “Qeveria jolegjitime në mënyrë jo transparente ka rritur cmimin e energjisë elektrike për mbi 65.000 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme për më shumë se 50%”, transmeton Portalb.mk.

“Edhe atë nga 8.78 den/kWh në 13.37 den/kWh ose për më shumë se 50%. Duam që të njoftojmë opinion se ky veprim ndikon drejtpërdrejt ne buxhetin e qytetarëve duke rritur cmimin e produkteve dhe shërbimeve si dhe duke dëmtuar likuiditetin e kompanive”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Duke mos rritur pagën minimale, shtojnë nga BDI, pagat në sektorin publik një veprim i tillë do të ndikojë në përkeqësimin e standardit jetësor për qytetarët tanë.

“Bëjmë thirrje, që sa më shpejt të ndërmerren masa për uljen e cmimit të energjisë elektrike si dhe cmimet e produkteve ushqimore në interes te qytetarëve dhe kompanive mikro, të vogla dhe të mesme që përbëjnë 98% të kompanive aktive në vend”, nënvizojnë nga BDI.

Kujtojmë se faturat e konsumatorëve të energjisë elektrike në tregun e rregulluar, pra të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, nga 1 korriku deri në fund të vitit janë më të larta për shumicën e konsumatorëve. Vendimin për rritjen e çmimit e ka marrë Komisioni Rregullator për Energjetikë.