Banorët e Jazhincës për tre dekada nuk kanë mjek, Taravari zgjidhjen e sheh te telemedicina

Edhe pse ambulanca në fshatin Jazhincë është ndërtuar para tridhjetë viteve nga banorët e fshatit, ata për tre nuk kanë mjek. Pavarësisht se atyre u është premtuar zgjidhje, ata shërbimet mjekësore i marrin në komuna tjera apo edhe në Tetovë. Ministri i Shëndetësisë zgjidhjen për këtë problem e sheh te telemedicina, shkruan Portalb.mk.

Banorët e Jazhincës ankohen se janë lënë pas dore dhe të harruar nga institucionet për vite me radhë.

Në mungesë të mjekut, ata shërbimet mjekësore i marrin nëpër vendbanime tjera, mjeku më i afërt është rreth dhjetë kilometra larg në fshatin Vratnicë, në Tearcë apo edhe Tetovë.

Problem në këtë drejtim mbetet edhe transporti deri te këto pika.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Jazhincës Nafi Bexheti tha se ambulancën e kanë ndërtuar para tridhjetë vitesh me kontributin e tyre.

Kërkesë kemi bë shumë herë, kanë kaluar tre katër ministra, premtim po por asnjëri s’ka bërë punë. Banorët në Vratnicë, Tearcë deri në Tetovë. Dikush ka kushte, dikush nuk ka kushte, nuk mund të shkojnë të vijnë, problem i madh. Popullata tash është e vjetër s`ka kush i çon”, tha Bexheti.

“Na duhet, ka disa vite mjek nuk kemi këtu, kemi rreth 400 shtëpi këtu pa mjek. Kemi pleq, për kontroll shkojmë në Tetovë, në Vratnicë, e shihni vet ky fshat ka nevojë për një mjek”, tha një banor.

“Nuk ka kush jep injeksione 30 vite ambulance nuk ka mjek, na kanë thënë se do sjellin mjek por nuk kanë sjellë, 20 vite sa e kemi mbaruar ambulancën”, tha një banor tjetër.

I pyetur për mungesat e ambulancave në zonat rurale, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari tha se zgjidhjen e sheh te telemedicina.

“Jemi duke menduar ende s’kemi plan aksionar, jemi duke e përgatitur, në vendet rurale ku banojnë shumë pak njerëz, mund të angazhojmë vetëm një motër. Do të ketë një qendër në Qendrën Klinike në Tetovë dhe në Shkup ku do të jenë të angazhuar disa mjek ku do japin shërbime mjekësore në distancë, diçka që mund të jepet, diçka që kërkon ekzaminim fizik drejt prej mjekut do dërgohet vetura. Ne kemi internet relativisht të mirë në Maqedoni, çfarë na duhet të përgatisim ordinanca, në disa vende edhe ekziston, të vendoset një televizor i mirë dhe të angazhohet një motër që do jetë në komunikim online me mjekun i cili është kujdestar në Qendrën Klinike apo në Tetovë dhe në këtë mënyrë mund t’i zgjedhim problemin e  mos ekzistimit të  ambulancave në pjesët rurale”, tha Taravari.

Ndryshe, fshati Jazhincë ndodhet rreth 27 kilometra larg Tetovës, aty ka rreth 400 shtëpi ndërsa shumë prej tyre kanë ngelur të boshatisura për shkak të migrimit.