AUV me kontrolle të jashtëzakonshme në markete, u shqiptuan gjoba prej 40 mijë euro

Rreth 40.000 euro në kundërvlerë denari është shuma totale e 22 gjobave të shqiptuara nga shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ndaj operatorëve ushqimorë, në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të realizuara në markete dhe hipermarkete në gjithë territorin e vendit, transmeton Portalb.mk.

Siç thuhet në njoftimin e AUV-së, në aksionin e zhvilluar nga 13 deri më 16 janar të këtij viti janë kontrolluar 188 operatorë ushqimorë nga kjo kategori.

“Te 10 operatorë, gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje më të lehta në fushën e sigurisë ushqimore (mosndarja e saktë e produkteve në pajisjet frigoriferike, deklarata të paqarta dhe të palexueshme në produkte dhe të ngjashme), për çka janë shqiptuar masa vërejtjeje, ndërsa në 2 markete është konstatuar se të punësuarit nuk kanë libreza sanitare”, thuhet në njoftim.

Nga AUV shtuan se te gjashtë nga marketet e kontrolluara është konstatuar se nuk kanë të implementuara procedura për zbatimin e rregullave të praktikës së mirë prodhuese dhe praktikës së mirë higjienike, ndërsa në 14 markete është gjetur ushqim me afat të skaduar.

Si produkte të pasigurta, në kuadër të këtij aksioni të AUV-së, nga operatorët janë konfiskuar dhe asgjësuar në mënyrë të padëmshme mbi 253 kilogramë ushqim (mish dhe produkte mishi, produkte qumështi, ëmbëlsira dhe lloje të tjera produktesh).