Asistentë pedagogjik dhe ndërmjetës për nxënësit rom në Maqedoninë e Veriut, paralajmëroi ministrja
Në mbështetje të nxënësve rom në Maqedoninë e Veriut, ministrja për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, ka paralajmëruar disa ndryshime ligjore për arsimin fillor dhe të mesëm, transmeton Portalb.mk.
“Me ndryshimet në ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm të cilat së shpejti do të jenë lëndë e debatit publik, akoma më shumë do të përforcohet kujdesi për nxënësit e komunitetit etnik rom, përmes përfshirjes së asistentëve pedagogjik në arsimin fillor dhe ndërmjetësues arsimor rom në arsimin e mesëm të cilët do të kujdesen për regjistrimin e fëmijëve në shkollë, parandalimin e ikjes së të rinjve dhe përvetësimin më të lehtë të materies mësimore”, deklaroi Janevska.
Ministrja sot zhvilloi takim me përfaqësuesit e Zyrës programore të Këshillit të Evropës në Shkup, ku ka theksuar se në Maqedoninë e Veriut shkalla e regjistrimit të romëve në të mesme është 94 përqind, në krahasim më mesataren evropiane që është 90 përqind.
Raportohet që 87 përqind e nxënësve rom e kryejnë arsimin e mesëm, derisa kjo mesatare në Evropë është 50 përqind.
Ndryshe, grupet punuese në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, janë duke përgatitur gjashtë zgjidhje të reja ligjore me të cilat do të avancohen shërbimet arsimore të cilat i’u ofrohen qytetarëve si dhe do të sigurojnë më shumë të drejta dhe mundësi për kategori të ndryshme të prekura në fushën përkatëse.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit filluan konsultim publik për programet mësimore nga klasa e shtatë deri në të nëntën, me qëllim që ato të cilat tashmë janë përgatitur të avancohen, ndërsa të rejat që duhet të përgatiten, të përmbajnë sugjerimet, veçanërisht të mësimdhënësve praktikantë, mendimi i të cilëve është më i rëndësishmi në procesin e formësimit të sistemit edukativo – arsimor, thonë nga MASh.