“Arti kundër urrejtjes”, aksioni në Kumanovë promovoi solidaritetin, diversitetin dhe bashkimin
“Arti Kundër Urrejtjes” është emri i aksionit rrugor që u mbajt në Kumanovë, Maqedoninë e Veriut, nga 24 deri më 25 prill. Organizatori është një grup joformal aktivistësh të paqes të mbledhur me mbështetjen e Qendrës për Aksion të padhunshëm, me qëllim mbushjen e hapësirave publike, në vend të mesazheve të jotolerancës dhe dhunës, me imazhe që promovojnë solidaritetin, diversitetin dhe bashkimin, transmeton Portalb.mk.
Në këtë aksion rrugor morën pjesë nxënës nga dy shkolla të mesme, Goce Dellçev dhe Sami Frashëri, të cilët, së bashku me Shoqatën e Artistëve FORMA, pikturuan një mural kushtuar pajtimit, bashkëjetesës dhe ndërtimit të paqes.
“Po e nisim këtë aksion sepse besojmë se ende ka nevojë për punë midis të rinjve në lidhje me sjelljen e padhunshme/mosurrejtjen midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Është e nevojshme një ndikim dhe punë më e madhe nga aktivistët dhe sektori joqeveritar (arsimi informal), si dhe kontakt dhe ndërveprim më i shpeshtë i ndërsjellë i së njëjtës popullatë. Gjithçka fillon me të rinjtë, ata janë nxitësit kryesorë të ndryshimeve shoqërore. Breza të shëndetshëm dhe një e ardhme e shëndetshme për vendin tonë vijnë nga të rinj të shëndetshëm që synojnë bashkëjetesën dhe tolerancën e ndërsjellë”, tha Teodora Sokolovska, anëtare e grupit joformal të aktivistëve të paqes.
Një ditë para aksionit rrugor, nxënësit e shkollave të mesme Goce Dellçev dhe Sami Frashëri patën mundësinë të takoheshin dhe të shoqëroheshin në një punëtori njëditorë ku trajtuan tema të tilla si: puna në grup dhe komunikimi, gjuha e urrejtjes, mosdhuna dhe veprimet të padhunshme. Nxënësit patën gjithashtu mundësinë të mësonin rreth konceptit të artit të angazhuar rrugor, i cili mund të jetë një instrument i fuqishëm për ndryshime shoqërore.
“Aktivitetet e këtilla janë mjaft të nevojshme për shoqërinë tonë, dhe sidomos për nxënësit të cilëve u mungojnë takimet e përbashkëta ku ata mund të njihen dhe komunikojnë. Punëtoria e djeshme dhe I tërë aktiviteti na vërteton se komunikimi, bashkëpunimi dhe njohja e nevojave të njëti tjetrit I largojnë paragjykimet dhe barrierat ndërmjet të rinjve të cilët synojnë paqen, respektin, jodhunën dhe avancimin”, shtoi Fatmire Ajdari, anëtare e grupit joformal të aktivistëve për paqe.
Murali i pikturuar përfaqëson një mesazh të përbashkët dhe të fortë se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në shoqëritë dhe mjediset tona dhe se ne mund të jemi pjesë e ndryshimeve shoqërore me përpjekje të përbashkëta.
Në periudhën e ardhshme, aksion i ngjashëm do të zhvillohet në Banja Llukë (Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Nish (Serbi).