Arben Xhoni në OpenMic për ndikimin e cigareve, pijeve energjike në shëndetin oral: Më mirë të parandalojmë se sa të shërojmë

Në episodin e shtatë të OpenMic në Portalb flasim me dentistin Arben Xhoni.

Me të biseduam mbi shëndetin oral dhe ndikimin që ka pirja e duhanit, cigaret elektrike, alkooli, pijet energjike dhe të tjera.

Ai tha se pirja e duhanit është njëri ndër faktorët kyç i cili bën prishjen e dhëmbëve.

“Pirja e duhanit domethënë ndryshon edhe ngjyrën e dhëmbëve, mundëson që të ketë inflamacion të mishit të dhëmbëve, paradontopatia e cila është deri te humbja e dhëmbëve”, tha Xhoni.

Ai theksoi se duhanpirësit duke u munduar t’i ikin asaj pjesës që ta lënë duhanin ata shkojnë te cigaret elektronike të cilët mendojnë se janë më pak të dëmshme, që është gabim për shkak se cigaret elektronike kanë disa efekte anësore të cilat ndikojnë negativisht.

“Alkooli domethënë ka një ndikim negativ te shëndeti oral për shkak se redukton pështymën natyrale e cila është një ndër faktorët kryesorë e cila bën largimin e copëzave të ushqimit të mbetura si dhe aciditetin të cilin e ka vetë dhëmbi, është një pastrues i gojës”, tha Xhoni.

Dentisti sqaroi se pijet energjike përmbajnë aciditet të lartë të cilat direkt e dëmtojnë zmaltin apo strukturën e jashtme të dhëmbit.

“Lirisht mund të themi që është një katalizator apo përshpejtues i procesit të prishjes së dhëmbëve”, tha ai.

Mjeku tha se sëmundja është më mirë të parandalohet se të shërohet.

“Parandalimi më i mirë është që të anashkalohen dhe të ju iket më shumë, përderisa bëhet përdorimi ekziston edhe rreziku”, përfundoi ai.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.