Apple prezantoi linjën e plotë të iPhone 16 (VIDEO)

Apple prezantoi ditën e sotme linjën e plotë të iPhone 16 në evenimentin e shumëpritur Glowtime. Sipas CEO-s Tim Cook telefonët e rinj janë ndërtuar me në mendje Apple Intelligence, transmeton PCWorld.al.

Së bashku me modelet bazë, kompania debutoi edhe iPhone 16 Pro dhe iPhone 16 Pro Max ku të dy kanë çipin e ri A18 Pro.

Ekranet e smartfonëve janë rritur në madhësi krahasuar me gjeneratën e kaluar. iPhone 16 Pro ka ekran me madhësi 6.3-inç ndërsa iPhone 16 Pro Max ekran prej 6.9-inç. Kujtojmë se madhësia e ekraneve për iPhone 15 Pro dhe 15 Pro Max ishte 6.1-inç dhe 6.7-inç respektivisht.

Linja fuqizohet nga çipi A18 Pro me 16 bërthama neurale për veprimet e inteligjencës artificiale gjeneruese. Sipas Apple ky çip mundëson 15 përqind më shumë performancë AI sesa iPhone 15 Pro.

A18 Pro përmban grafika më të fuqishme falë çipit me 6 bërthama duke prodhuar 20 përqind më shumë performancë sesa A17 Pro në iPhone 15 Pro.

Në pjesën e pasme të telefonëve gjenden tre sensorë: 48-megapiksel parësore “fusion camera,” 48-meapiksel ultra e gjerë dhe 12-megapiksel 5x telefoto me dizajn tetraprizëm në dy modelet Pro. Kjo teknologji ishte ekskluzive për iPhone 15 Pro Max.

Linja e iPhone 16 ka një buton të ri “Camera Control” dhe pas një përditësimi butoni do të ofrojë një shkrepje me dy faza. Apple prezantoi stile të reja fotografike që mund të ndryshohen pas realizimit të fotos. iPhone 16 Pro gjithashtu mund të kapë video 4K 120fps.

Apple nuk la pa theksuar edhe harduerin e përmirësuar të audios në iPhone 16 Pro me mikrofonët që kanë cilësi studio. Përdoruesit do të mund të kapin audio hapësinore gjatë regjistrimit të videove hapësinore. Një përditësim që do të mbërrijë tek memot zanore sjell regjistrim dy-drejtimësh.

iPhone 16 Pro fillon prej 999 dollarësh për 128GB hapësirë ndërsa iPhone 16 Pro Max prej 1,199 dollarësh për 256GB hapësirë. Porositë për smartfonët mund të bëhen prej ditës së Premte ndërsa do mbërrijnë në dyqane dhe tek blerësit më 20 Shtator.

Këta telefonë debutojnë me lëvizjen e madhe që Apple po bën në AI duke integruar funksionalitetet e Apple Intelligence. Disa prej funksionaliteteve do të jenë të disponueshme që prej muajit Tetor në fazë eksperimentale.