Ansambli Muzikor i Tetovës e filloi programin artistik për vitin 2026, tre artistë performuan ‘Trio élégiaque’ (Video)
Në Qendrën për Kulturë në Tetovë, IN Ansambli Muzikor mbrëmë realizoi koncertin e parë të programit artistik për vitin 2026, duke sjellë para publikut një mbrëmje elegante, emocionale dhe me interpretim të nivelit të lartë, shkruan Portalb.mk.
Në skenë performuan artistët Shkelzen Baftiari, Lida Aliu Alimani dhe Enis Alji, me interpretimin e veprës “Trio élégiaque” të Sergei Rachmaninoff.
Me ndjeshmëri, përkushtim dhe virtuozitet, ata arritën të përcjellin fuqinë emocionale të kësaj vepre të njohur, e cila ndërthur dhimbjen, kujtesën dhe reflektimin në një rrëfim të thellë muzikor.
Publiku pati mundësi të përjetojë një dialog të veçantë mes pianës, violinës dhe violonçelit, ku çdo tingull ndërtonte një atmosferë intime, por njëkohësisht madhështore. Interpretimi i artistëve dëshmoi jo vetëm profesionalizëm, por edhe seriozitetin me të cilin Ansambli po ndërton rrugëtimin e tij artistik.
Ky koncert shënoi fillimin e vitit artistik 2026 dhe konfirmoi edhe një herë potencialin e IN Ansamblit Muzikor për të sjellë në skenë vepra me vlerë të lartë artistike.
Me artistë të përkushtuar dhe me një vizion të qartë kulturor, Ansambli po rritet nga koncerti në koncert, duke premtuar një të ardhme të fuqishme në skenën muzikore shqiptare.
Kujtojmë se për këtë Ansambël së fundmi në opinion është hapur debat i madh publik dhe politik për shkak se Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, nuk përjashton riorganizimin e tij, çka u kundërshtua fuqishëm nga vetë institucioni dhe artistët, shumica e të cilëve munguan në koncertin e mbrëmshëm.