Ansambli “Bajram Shabani” nga Kumanova organizoi festivalin “Balkan Fest”

Më datë 20 dhe 21 tetor u mbajt edicioni i III i Festivalit “Ballkan Fest” që organizohet nga Ansambli i këngëve dhe valleve “Bajram Shabani” në Kumanovë. Festivali për dy ditë solli këngë e valle shqipe nga të gjitha trojet shqiptare, ansamble e shoqëri të ndryshme nga brenda e jashtë vendit argëtuan publikun dhe po ashtu garuan për çmime, njofton Portalb.mk.

Foto nga aktiviteti, të marra me lejen e drejtuesit
Foto nga aktiviteti, të marra me lejen e drejtuesit

Ky festival është ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore për ruajtjen dhe promovimin mbarëkombëtar të trashëgimisë jo materiale. Qëllimi i këtij festivali është të përcjellë vlerat më të bukura e të larmishme të trashëgimisë shpirtërore, etnomuzikore, etnografike, si dhe prezantim me kostumet e mrekullueshme popullore nga të gjitha zonat e trevat e ballkanik. Përveç programeve të larmishme dhe pjesëmarrësve të shumtë që interpretuan repertorët e tyre, në natën e dytë si mysafir special ishte “Ansambli Shtetëror Shqiptar i Këngëve dhe Valleve në RMV”.

Drejtori i AKV” Bajram Shabani” Ilir Latifi lidhur me fillet e këtij festivali, për Portalb.mk tha se: “Ideja për një festival të tillë ka qenë e kahershme, duke u nisur nga fakti që kjo shoqëri ka marrë pjesë në shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe ka prezantuar vlerat artistike të këtyre  trevave.”  Ai po ashtu theksoi se ky festival u realizua falë sponsorëve të shumtë, pasi sipas tij : “Mbështetja institucionale nga Ministria e Kulturës dhe e Komunës se Kumanovës është modeste përkundër nevojave  financiare që i kërkon një festival i përmasave të tilla ndërkombëtare. Duke i falënderuar sponsorët privat ky festival ka tre vite që arrin të përmbush misionin e vet, duke sjellë për publikun kumanovar dhe me gjerë, ansamble dhe shoqëri nga gjitha vendet e Ballkanit e me gjerë.

Foto nga aktiviteti, të marra me lejen e drejtuesit
Foto nga aktiviteti, të marra me lejen e drejtuesit

Festivale të tilla, kohëve të fundit janë rikthyer në vëmendje të publikut, pasi tradita dhe trashëgimia kulturore janë fusha të cilat nuk e humbasin kurrë interesin.

“Qëllimi i këtij festivali është që të ruaj karakterin ndërkombëtar kompetitiv duke ofruar vlera të kulturave heterogjene nga vende të ndryshme  me fokus të veçantë vlerat e krahinave të ndryshme shqiptare” theksoi drejtori Ilir Latifi.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve” Bajram Shabani” është formuar në vitin 1945 si shoqëri kulturo- artistike me të njëjtin emër. Dhe ende funksionojnë te gjitha sektorët e kësaj shoqërie, edhe atë: orkestra që  numëron nëntë anëtarë, këngëtarët me emra të njohur ne muzikën popullore, pastaj edhe ansambli folklorik që përbehet nga pesë instrumentistë dhe rapsodë të trevave të Kumanovës. Sesioni  I valleve është i ndarë në tre grupe ku përfshihen: grupi i veteranëve të valleve tradicionale, grupi i valltarëve nga 13 deri në 18 vjeç, që tërësisht numërojnë 50 valltarë.

Foto nga aktiviteti, të marra me lejen e drejtuesit
Foto nga aktiviteti, të marra me lejen e drejtuesit

Meqë festivali kishte karakter garues, gjithsej janë ndarë 13 çmime, bazuar në kriteret standarde të ndarjes së çmimeve në festivalet e zakonshme me karakter garues ndërkombëtar. Ndër më të rëndësishmet ishin tre vendet:

Vendi i parë: SHKA  “Emin Duraku”- Shkup

Vendi i dytë SHKA “Malësori”- Gjonaj- Prizren

Vendi i tretë: SHKA “Presheva”- Preshevë

Orkestra më e mirë u zgjodh ajo e  SHKA ” Xheladin Zeqiri”.