Koalicioni ‘Ndryshojmë’ thërret protestë në Shkup: Jetë dinjitoze për personat me aftësi të veçanta
Koalicioni ‘Ndryshojmë’ ka njoftuar protesë paqësore më 25 qershor 2026, në ora 17:30, para Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, nën moton ‘Për jetë dinjitoze’. Qëllimi i protestës është dështimi i shtetit dhe mosppërmbushja e detyrimeve ndaj personave me aftësi të veçanta, transmeton Portalb.mk.
Organizatorët thonë se prej muajsh dhe vitesh, fëmijët dhe personat me aftësi të veçanta po përballen me pasiguri lidhur me realizimin e të drejtave të garantuara me ligj.
Ata thonë se ë drejtat që duhet të sigurojnë jetë të pavarur, pjesëmarrje të barabartë dhe përfshirje sociale, shumë shpesh shtyhen, zvogëlohen ose mohohen.
“Ulja e orëve të asistencës personale, pagesat e parregullta të kompensimeve financiare, vonesat në mbështetjen financiare, ndryshimet e pazgjidhura ligjore dhe mungesa e zbatimit efikas të politikave që lidhen me aftësinë e veçantë ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të mijëra qytetarëve. Këto nuk janë vetëm çështje administrativ, ato janë çështje të dinjitetit, barazisë dhe të drejtave themelore të njeriut”, thonë nga koalicioni ‘Ndryshojmë’.
Koalicioni thekson se Republika e Maqedonisë së Veriut ka marrë obligime sipas Kushtetutës, legjislacionit kombëtar dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Veçanta për të siguruar që personat me aftësi të veçanta të mund të jetojnë në mënyrë të pavarur, të marrin pjesë plotësisht në shoqëri dhe të gëzojnë mbrojtje të barabartë të të drejtave të tyre.
“Këto obligime duhet të shndërrohen në veprime konkrete”, thonë nga aty.
Pas konsultimeve me personat me aftësi të veçanta, prindërit, organizatat dhe anëtarët e komunitetit të personave me aftësi të veçanta, Koalicioni ‘Ndryshojmë’ ka paraqitur kërkesat e mëposhtme ndaj Qeverisë, edhe atë:
- Rikthimin urgjent të asistencës personale në 80 orë për personat me aftësi të veçanta.
- Pagesa të rregullta, në kohë dhe të pandërprera të kompensimeve për asistencë personale.
- Heqjen e pengesave dhe kufizimeve administrative që ndikojnë në angazhimin e asistentëve personalë.
- Miratimin e një Ligji gjithëpërfshirës për asistencën personale, të përgatitur në konsultim me komunitetin e personave me aftësi të veçanta.
- Miratimin dhe zbatimin e Ligjit për regjistrin e fëmijëve dhe personave me aftësi të veçanta, të zhvilluar në bashkëpunim me organizatat përfaqësuese.
- Pagesën urgjente të të gjitha kompensimeve të papaguara dhe ndihmave nga mbrojtja sociale dhe civile për fëmijët për muajin maj 2026.
- Dorëzimin dhe miratimin urgjent të ndryshimeve dhe plotësimeve në legjislacionin për mbrojtjen sociale dhe civile të fëmijëve, në përputhje me amendamentin e miratuar nga Kuvendi në shtator 2025, i cili siguron mbështetje financiare më të madhe për fëmijët dhe personat me aftësi të veçanta.
- Reformimin dhe riorganizimin e Trupit Koordinues të Qeverisë për Personat me Aftësi të Veçanta, duke siguruar pjesëmarrje dhe udhëheqje domethënëse nga vetë personat me aftësi të veçanta, përfshirë emërimin e një personi me aftësi të veçanta si kryetar të tij.
- Reforma gjithëpërfshirëse të sistemit të vlerësimit sipas KFN-së (ICF), duke garantuar procedura të drejta, transparente dhe të bazuara në të drejta.
- Krijimin e kushteve për zbatimin e plotë të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Veçanta 2026–2034, me obligime të matshme, afate kohore dhe përgjegjësi të qarta
Ata bënë apel te qytetarët që t’i bashkëngjiten protestës ditën e enjte.