Analizë e Metamorfozis: Nevojitet një strategji nacionale për shërbime komunale dhe digjitalizim

Analiza e fundit e realizuar nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, me fokus tek shërbimet elektronike që ofrohen nga komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nxori në pah se është e nevojshme që të krijohet një strategji nacionale për shërbimet komunale dhe digjitalizimin, në mënyrë që pa dallim nëse njësia është nga qyteti apo fshati, të gjithë të kenë të njëjtin progres digjital, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Edhe pse me një progres të konsiderueshëm deri në tre herë më shumë se ai nga anketa e mëparshme, komunat ende po vonojnë në realizimin e digjitalizimit, i cili është mëse i nevojshëm për kohën që vjen. Analiza e shërbimeve elektronike e përfshin cilësinë e shërbimeve, nivelin e kënaqësisë tek shfrytëzuesit, disponueshmërinë në nivel lokal dhe hendekun midis ofertës aktuale dhe kërkesës reale.

Shërbimet elektronike komunale janë analizuar në aspektin e transparencës dhe llogaridhënies, komunikimit, si dhe sa  përket miratimeve, lejeve dhe shërbimeve të tjera.

Edhe pse rreth 80 përqind e komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë vlerë të lartë dhe shumë të lartë të indeksit LEGSI, i cili tregon një progres të dukshëm në krahasim me vitin 2021, shumica e qytetarëve nuk janë të kënaqur me atë që u ofrojnë komunat në aspektin e shërbimeve elektronike.

Analiza e thellë tregon se ajo që ka ndryshuar është më shumë në aspektin e automatizimit sesa një transformim qenësor digjital, i cili ka një rëndësi të konsiderueshme për avancimin e shoqërisë sonë. Për shembull, pak më pak se 40 përqind e të gjitha komunave ofrojnë grupe të të dhënave me format të hapur për qytetarët e tyre.

Në promovimin e sotëm të publikimit dhe analizave nga hulumtimi që u mbajt në “Public Room”, Prof. d-r. Zoran Janevski nga Instituti Ekonomik, ndër të tjera, gjatë prezantimi tha se është shumë e rëndësishme se çfarë ofrohet si ndihmë për vetë përdoruesit, në mënyrë që ata të mund t’i përdorin shërbimet elektronike.

“Gjatë punimit të analizës deshim të shohim nëse komunat kanë persona për mbështetje të shfrytëzuesve. Konstatuam se një person të tillë e ka vetëm komuna e Velesit dhe atë vetëm për shërbimin e e-tatimit, por jo edhe për shërbimet e tjera elektronike. Asnjë nga komunat e tjera nuk ofron ndihmë nga një punonjës për këtë qëllim. Për të paktën një shërbim elektronik udhëzime me shkrim kanë 76 përqind e komunave. Chat bot-e të bazuar në inteligjencën artificiale nuk ka në asnjë komunë. Po të kemi parasysh se edhe në nivel qendror kemi të dhëna vetëm për një chat bot të tillë, kjo gjë është e pritshme, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet punuar në drejtim të mundësive të reja. Kjo analizë tregoi se edhe pas punës aktive në këtë temë, ne jemi larg temave dhe problemeve me të cilat merret bota e zhvilluar. Ne në fakt jemi në një nivel si para 20 viteve. Duhet të punojmë shumë në këtë drejtim, sepse kemi shumë pak shërbime online”, tha Janevski.

Ngjarje nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” rreth transformimit digjital. Foto nga Meta
Ngjarje nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” rreth transformimit digjital. Foto nga Meta

Drejtoresha e programit në Fondacionin “Metamorfozis”, Dançe Danillovska-Bajdevska, në fjalimin e saj theksoi se transformimi digjital dhe digjitalizimi janë një nga prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian. Ajo po ashtu theksoi se përfitimet nga kjo janë se do të zvogëlohet ekonomia gri dhe korrupsioni, e si rrjedhojë do të rritet transparenca e punës së institucioneve.

“Analiza tregoi se është e nevojshme të krijohet një strategji nacionale për shërbimet komunale dhe digjitalizimin, në mënyrë që pa dallim nëse njësia është nga qyteti apo fshati, të gjithë të kenë të njëjtin progres digjital. Gjithashtu është e nevojshme të organizohen trajnime për administratën komunale, ndërsa autoritetet lokale t’i anketojnë qytetarët për të parë se  cilat shërbime komunale dëshirojnë që t’u ofrohen. Është e nevojshme edhe që të zhvillohen shërbime elektronike të unifikuara të destinuara për të gjitha komunat. Komunat duhet të bashkëpunojnë me të gjitha palët e interesuara,  me BNJVL-në edhe me ministritë dhe organizatat kur bëhet fjalë për unifikimin e disa e-shërbimeve të ardhshme”, tha Danillovska-Bajdevska.

Është interesante të theksohet se edhe pse komunat si institucione ekzistojnë në shërbim të qytetarëve, një nga konkluzionet e hulumtimit është se një pjesë shumë e vogël e komunave i dëgjojnë qytetarët kur zgjedhin ofertën e ardhshme të shërbimeve të reja elektronike komunale.

Analiza nxori në pah se sipas vlerës së Indeksit të Shërbimeve Elektronike Qeveritare në Nivel Lokal (LEGSI) Kriva Pallanka, Vasileva, Debarca, Negotina dhe Manastiri janë pesë komunat e ranguara më mirë  në Maqedoninë e Veriut. Komunat i kushtojnë vëmendje më të madhe ofrimit të shërbimeve elektronike që janë në favor të avancimit të komunikimit me qytetarët e tyre përmes shërbimeve elektronike, e pastaj vijon përdorimi i shërbimeve elektronike për të rritur transparencën dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve të tyre.

10 komunat e fundit në këtë listë sipas indeksit LEGSI janë: Çairi (0.4242), Bogovina (0.4206), Bosilova (0.4202), Llozova (0.4167), Sopishti dhe Vrapçishti (0.3492), Krivogashtani (0.3329), Haraçina (0.2615), Dollneni (0.1702) dhe Demir Hisari (0.0317).

Sipas kësaj analize, komunat në Maqedoninë e Veriut në mënyrë intensive i përdorin rrjetet sociale, dhe atë kryesisht Facebook-un, por vetëm 44 përqind e komunave ofrojnë mundësinë për t’i parashtruar pyetje kryetarit të komunës.

Ajo që është e nevojshme të bëhet kur bëhet fjalë për përmirësimin e gjendjes me shërbimet elektronike është një vlerësim i rregullt dyvjeçar i zhvillimit të shërbimeve elektronike në nivel lokal duke përdorur metodologjinë LOSI të KB-së.

Një nga qëllimet e Metamorfozis, si edhe gjatë 20 viteve të ekzistencës së tij, është që të arrihet transformim i shoqërisë tonë në një shoqëri digjitale që do të mundësonte që institucionet të bëjnë shumë më shumë për qytetarët e tyre, por me më pak burime. Do të kontribuonte që të mos përballemi me kriza siç është situata aktuale me dokumentet e udhëtimit, ku caktimi i termineve online për momentin është i pamundur.

Më shumë për të gjithë hulumtimin, metodologjinë, përfundimet dhe rekomandimet mund të lexoni këtu.