ANALIZË: Buxheti i ribalancuar, më pak para për shkollat, spitalet, gazifikimin, më shumë për hekurudhat, zhvillimin e TIK-ut, komunat 

Më pak para për gazifikimin, për infrastrukturën rrugore, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave. Më shumë fonde për hekurudhat, një zë i ri milionësh për komunat, për digjitalizimin. Para deputetëve gjendet buxheti i ri i rebalancuar, i pari me nënshkrimin e qeverisë së re. Në disa ministri ka ndryshime më të mëdha pjesën e buxhetit zhvillimor, e cila i mbulon investimet kapitale. Në pjesën e parë të Analizës, Portalb-it vë nën “thjerrë” ministritë që kanë në dispozicion buxhete më të mëdha dhe ku ka ndryshime më të theksuara në shpenzimet kapitale.  

Ministria e Shëndetësisë nën “thikën financiare” në buxhetin e rebalancuar për vitin 2024. Më pak para për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve shëndetësore, për ambulantat rurale, për qendrat klinike. Konkretisht, sipas të dhënave nga pjesa zhvillimore e buxhetit, shuma për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve shëndetësore do të jetë 779.000 euro, që është një rënie prej 64,4% në krahasim me planin aktual. Ky zë përfshin rikonstruksionet e Spitalit Special për Ortopedi dhe Traumatologji “Shën Erazmo – Ohër”, Klinika për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit” – Shkup dhe të tjera. Zvogëlim të mjeteve ka edhe për Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës, të cilat me rebalancimin zvogëlohen në rreth 30.000 euro, që paraqet vetëm 3,5% të shumës së planifikuar në buxhetin aktual.

Zvogëlim të konsiderueshëm ka edhe në mjetet për ndërtimin e qendrës së re klinike në Shkup dhe në Shtip. Shuma është ulur në 878.000 euro ose 35% krahasuar me planin në buxhetin aktual. Për pajisje mjekësore janë planifikuar 5,8 milionë euro, ndërsa për ambulantat në zonat rurale shuma është përgjysmuar në 5.000 euro të parëndësishme.

Ndryshime më të rëndësishme financiare ka në Ministrinë e Arsimit, e cila përmes pjesës zhvillimore të buxhetit merr më pak para për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme, sallave sportive, konvikteve të shkollave, ndërsa për renovimin me efikasitet energjetik të konvikteve studentore, është rritur shuma për shpenzime kapitale.

Zvogëlohen ndjeshëm fondet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave të mesme dhe konvikteve për nxënësit, ku shuma është ulur në 1,8 milionë euro. Vlera për rikonstruksionin me efikasitet energjetik të konvikteve studentore rritet në 5,52 milionë euro.

Një nga ministritë që ka buxhet më të madh është Ministria e Transportit, në të cilën ka ndryshime të konsiderueshme në segmentin e zhvillimit, gjegjësisht të investimeve kapitale. Kështu, në raport me fondet e planifikuara paraprakisht, ka një rënie të shumës për “projektin e lehtësimit të tregtisë dhe transportit” që tani pritet të jetë 2,92 milionë euro, shuma për “investime në infrastrukturën rrugore” ulet në 66,6 milionë euro, ose rreth 27% në raport me projeksionin aktual për këtë zë që i referohet kryesisht kontratës së infrastrukturës me “Behtel dhe Enka”.

“Në kuadër të këtij nënprogrami janë përfshirë aktivitetet lidhur me realizimin e Projektit për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor (seksioni Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe Projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridorit 10d (seksioni i autostradës Prilep – Manastir” – thuhet në propozim për rebalancimin e buxhetit.

Rënie ka edhe te fondet për gazifikimin, për furnizim me ujë, për ujësjellësit-kanalizimet për komunat, ndërsa rritje më të theksuar, në 54,8 milionë euro, kanë fondet për infrastrukturën hekurudhore.

Ministrinë e Financave – funksionet e shtetit ka një “zë” të ri prej 75,3 milionë euro si pjesë e “injeksionit financiar” të paralajmëruar prej 150 milionë eurosh për komunat.

“Qëllimi i këtij nënprogrami është investimi i vazhdueshëm i mjeteve nga buxheti qendror për projekte kapitale infrastrukturore nëpër komuna, në drejtim të arritjes së mbështetjes për komuna moderne, transparente dhe financiarisht të qëndrueshme”- thuhet në buxhet.

Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme shumat për projektet dhe qëllimet zhvillimore mbeten pothuajse të njëjta me ato aktuale, për reformat në polici për këtë vit parashikohen 8,62 milionë euro.  Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 6,66 milionë euro për modernizim, shumë më e madhe se sa ajo paraprake, por fondet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve janë reduktuar në 6,16 milionë euro, ndërsa shuma për integrim në NATO në 92,2 milionë euro.

Për këtë vit, sipas planit të ri buxhetor, për shpenzime kapitale, parashikohet një shumë (duke përfshirë kreditë, donacionet, aktivitetet vetë-financuese) prej 731.635.447 euro, që është për rreth 3 milionë euro më pak se sa plani aktual.