ANALIZË: Buxheti i FSPI-së në RMV për vitin 2025 “i rëndë” gati 2,3 miliardë euro

Buxheti i ri për vitin 2025 i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut do të rritet për 376 milionë euro krahasuar me buxhetin aktual. Sipas projeksioneve të përcaktuara buxhetore drejtuar Ministrisë së Financave, FPSIM-ja parashikon të hyra dhe shpenzime më të larta për vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit. Vetëm për t’i mbuluar “përfitimet sociale” ku përfshihen edhe pensionet në nivel shtetëror, në vitin 2025 do të shpenzohen 2,2 miliardë euro. FSPIM-ja është institucioni me buxhetin më të madh vjetor në nivel të shtetit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Rritje e pensioneve, rritje e numrit të pensionistëve, më shumë të ardhura nga rritja e rrogave…

Kosto për rritje të re lineare të pensioneve në mars dhe një harmonizim shtesë prej 3% në shtator të vitit të ardhshëm. Numri i pensionistëve të rinj do të rritet për 0,9%.  FSPIM-ja shtetërore e ka “përpiluar” buxhetin për vitin 2025. Në raport me këtë vit parashikohet rritje si e të ardhurave ashtu edhe e shpenzimeve.

Në dokumentin e FPSIM-së drejtuar Ministrisë së Financave, thuhet se vitin e ardhshëm, për t’i financuar të gjitha shpenzimet e planifikuara, arka e fondit të shtetit duhet të “peshojë” 2,278,073,000 euro fantastike, që është për 376,331,000 euro më shumë se shpenzimet e parashikuara për këtë vit.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Rritja e buxhetit të FSPIM-së është kryesisht për shkak të rritjes së re lineare të paralajmëruar të pensioneve, por rritje ka pothuajse në të gjitha zërat shpenzues. Kështu, zëri më i madh “përfitimet sociale” që i përfshin edhe pensionet, rritet në 2,2 miliardë euro.

“Në vitin 2025, shpenzimet për pensione planifikohen të rriten edhe atë për shkak të harmonizimit të pensioneve dhe në përputhje me rritjen e planifikuar të pensionistëve të rinj në vitin 2025 prej 0,9%” – thuhet në dokumentin e propozim-buxhetit.

Vitin e ardhshëm, 78,1% e totalit të shpenzimeve të FSPIM-së do të përdoren për pagesën e pensioneve.

Për “rroga dhe kompensime” shuma rritet në 6,3 milionë euro, kurse shuma për administratën totale do të arrijë në 10 milionë euro.  Zëri “mallra dhe shërbime” vitin e ardhshëm parashikohet të shkojë në 2,6 milionë euro, me ç’rast parashikohet rritje e kostove për shërbimet komunale, shërbimet e kontraktuara, për materiale dhe inventar të imët, ndërsa “shpenzimet kapitale” (duke përfshirë edhe shpenzimet kapitale nga pjesa e veçantë e buxhetit) në vitin 2025 planifikohet të rritet në 2,1 milionë euro.  Zëri i vetëm nga ana e shpenzimeve që pritet të zvogëlohet është “subvencionet dhe transferimet” me një shumë të parashikuar prej 540 000 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Udhëheqësia e FSPIM-së parashikon rritje të shpenzimeve, por edhe projeksione ambicioze për rritje të të hyrave në arkën e fondit. Sipas kornizave të buxhetit të ri të FSPIM-së, vitin e ardhshëm “të ardhurat nga tatimet” që janë kyçe pritet të rritet në 1,3 miliardë euro, ndërsa shuma e kontributeve të mbledhura pritet të rritet për dy arsye, rritjes së mëtejshme të rrogës bruto dhe rritjes së punësimit për 3,2% në vitin 2025. Vitin e ardhshëm “të ardhurat jo tatimore” parashikohet të arrijnë një shumë prej gati 11,4 milionë euro. Pagesa e rregullt e pensioneve edhe më tej mbetet e kushtëzuar nga “injeksioni” shtetëror. Vitin e ardhshëm, FSPIM-ja përmes “transferimeve” (nga të gjitha nivelet e pushtetit) pret 939 milionë euro, që është për 245 milionë euro më shumë se transferimet e planifikuara për këtë vit.

“Në totalin e të hyrave të FPSIM-së, pjesëmarrje më të madhe e kanë të hyrat burimore, të cilat përfaqësohen me 57,11%, kurse mjetet nga buxheti marrin pjesë me 41,22%” – thuhet në dokument.

Sipas vlerësimeve të FSPIM-së, ky vit do të mbyllet me 340.854 pensionistë, ndërsa vitin e ardhshëm do të ketë 343  992 pensionistë, që është për 0,9% më shumë në krahasim me këtë vit, ndërsa shuma e pensionit mesatar në dhjetor të vitit 2025 duhet të arrijë në 26.327 denarë.

Këtë muaj pensionistët morën rritje lineare prej 2.500 denarë, me çka “minusi” në arkën e fondit është rritur për 80 milionë euro.