ANALIZË: Borxhi publik i RMV-së “i kufizuar” në 60%, por do kalojë 66% të PBB-së, detajet e planit të qeverisë për huamarrjet
Paralajmërohet një kredi e re prej 500 milionë eurosh. Shteti i mori 500 milionë eurot e para nga kredia hungareze, e tashmë është paralajmëruar edhe “kësti” i dytë, me shumë gjasa sërish nga Budapesti. Huamarrjet e reja tashmë po krijojnë projeksione për rritjen e borxhit publik, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Në vitin 2029, stabilizimi i borxhit publik në nivelin 60%, deri atëherë…
“Për ta mbajtur nivelin e borxhit publik brenda një kornize të qëndrueshme, pa e prishur qëndrueshmërinë fiskale, përcaktohet kufiri i totalit të borxhit publik në afat të mesëm dhe në afat të gjatë, i cili nuk duhet ta kalojë nivelin prej 60% të PBB-së.” Projeksionet afatmesme të paraqitura në këtë strategji tregojnë se borxhi publik në raport me PBB-në do ta tejkalojë kufirin maksimal prej 60%. Në vitin 2025 pritet një rënie e moderuar dhe tendenca rënëse do të vazhdojë në vitet 2026-2028 kurse në vitin 2029 pritet të stabilizohet në 60% të PBB-së”, thuhet në dokumentin e ri “Strategjia e Menaxhimit të Borxhit Publik”.
Ky vit, 2024, mbyllet me kredinë tashmë të marrë hungareze prej 500 milionë eurosh. Për vitin e ardhshëm 2025 paralajmërohet një tjetër “këst” prej 500 milionë eurosh, me shumë gjasa, sërish nga Budapesti, por ende po bëhen analiza për kushtet e tregut financiar ndërkombëtar. Kjo huamarrje, tashmë e sigurt, i zhvendosi kufijtë e borxhit publik. Ky vit, sipas vlerësimeve nga dokumentet e reja të Ministrisë së Financave, do të mbyllet me një nivel të borxhit publik prej 66,4%.
Pavarësisht rritjes së nivelit të borxhit publik, qeveria pretendon se nuk do të ketë huamarrje të pajustifikuara dhe se nuk do të cenohet stabiliteti financiar i shtetit.
“Politika e menaxhimit të borxhit publik do të synojë sigurimin e fondeve të nevojshme për financimin e deficitit buxhetor, për shlyerjen e borxheve të maturuara si rezultat i huamarrjeve të viteve të mëparshme dhe për financimin e projekteve, pa shkaktuar me këtë rast rritje të pajustifikuar të borxhit në nivel i cili mund ta kërcënojë stabilitetin e ekonomisë dhe rritjen ekonomike të shtetit” – thuhet në Strategjinë e re Fiskale.
Për 5 vjet duhet të kthehen 6 miliardë euro si rezultat i borxheve të shtetit…
Merren kredi të reja, e “në derë” do të trokasin kreditë e prapambetura, për shlyerje. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, vetëm për pesë vite Qeveria Qendrore duhet t’u kthejë 6 miliardë euro kreditorëve vendas dhe të huaj në bazë të detyrimeve të prapambetura.
Shuma më e madhe, 1,5 miliardë euro, duhet të kthehet në vitin 2028. Shumat më të mëdha bazohen në eurobonde. Në secilin prej 4 viteve në vijim, duhet të paguhet nga një eurobond ose një shumë totale prej 2.400.000.000 (dy miliardë e katërqind milionë euro) vetëm mbi bazën e kryegjësë.
Në vitin 2025, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja në bazë të borxhit të shtetit do të kufizohet në 600 milionë euro, gjegjësisht kjo duhet të jetë shuma maksimale e kredisë që do të merret nga kreditorët vendas dhe të huaj.
Në fund të vitit 2024, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, borxhi publik në fund të gjashtëmujorit të parë ekonomik arriti në 60,5% ose 8.870.900 euro.