ANALIZË: Borxhi i brendshëm i RMV-së tejkaloi vlerën prej 441 milionë euro! (Infografik)

Për vetëm tre muaj borxhi i brendshëm, detyrimet e prapambetura, por të papaguara të institucioneve shtetërore, ministrive, shkollave, gjykatave, klinikave, ndërmarrjeve publike është rritur për 22,7 milionë euro.  Në tremujorin e parë të këtij viti, borxhet e shtetit arritën në 441 milionë euro. Vetëm kompanitë shtetërore dhe ndërmarrjet publike kanë borxh prej 173 milionë eurosh, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ndërmarrjet shtetërore dhe NP-të me borxhet më të larta – në vlerë prej 173 milionë euro

Shëndetësia, ndërmarrjet publike shtetërore, shkollat, me borxhe të shtuara, në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me situatën në fund të vitit të kaluar, i kanë rritur detyrimet e tyre të prapambetura, por të papaguara, tregojnë të dhënat e reja të Ministrisë së Financave. Në listën e re të borxhlinjve janë 944 institucione nga pushteti gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ me borxhe të prapambetura dhe të papaguara. Totali i borxhit të brendshëm arriti në 441,3 milionë euro.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara të RMV-së. Infografik nga Portalb.mk
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara të RMV-së. Infografik nga Portalb.mk

Nëse analizohet sipas llojit të subjekteve shtetërore, për tre muaj borxhet në shëndetësi janë rritur dhe në fund të marsit arritën në 91,3 milionë euro, detyrimet e prapambetura të përdoruesve të buxhetit të linjës së dytë (arsimi, mbrojtja sociale, institucionet e kulturës) dhe arrijnë në gati 4,4 milionë euro, ndërsa rritje ka edhe te borxhet e kompanive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, të cilat në fund të marsit arritën në 173 milionë euro.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara të RMV-së (mars 2023). Infografik nga Portalb.mk
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara të RMV-së (mars 2023). Infografik nga Portalb.mk

Pikërisht ndërmarrjet dhe kompanitë shtetërore publike dhe shëndetësia janë në dy vendet e para në listën e borxhlinjve sipas shumës totale të borxhit, të ndjekura nga ndërmarrjet publike komunale me fatura të papaguara në vlerë prej 72 milionë euro dhe komunat me borxh prej 64,1 milionë euro.

HM “Transporti” dhe HM “Infrastruktura” janë “liderë” sipas shumës së borxhit

Në pesë pozitat e para të “borxhlinjve” janë katër ndërmarrje shtetërore/publike, kurse në vendin e pestë janë institucionet shëndetësore publike për nevojat e spitaleve, klinikave dhe Qendrës së urgjencës. Në veçanti, shumën më të lartë të borxhit prej 68,7 milionë euro e ka raportuar Sh.A. HM “Transporti”, në vendin e dytë me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 29,3 milionë euro është NP HM “Infrastruktura” – këto dy kompani shtetërore me vite renditen në vende të larta sipas shumës së prapambetura, por të papaguara.

Shuma më e lartë e detyrimeve të prapambetura, por të papaguara të RMV-së. Infografik nga Portalb.mk
Shuma më e lartë e detyrimeve të prapambetura, por të papaguara të RMV-së. Infografik nga Portalb.mk

Në vend të tretë, me një borxh prej 26,6 milionë eurosh, renditet Sh.A. shtetërore “Nomagaz”, e cila u formua vitin e kaluar përmes bashkimit të Sh.A. BKE (Burimet Kombëtare të Energjisë) dhe Sh.A. GA-MA. Me fatura të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej 22,4 milionë euro, në vendin e katërt është ESM-ja e sapoformuar – Distribuimi i ngrohjes, ndërsa institucionet publike nga fusha e shëndetësisë janë në vendin e pestë me përafërsisht të njëjtin borxh në vlerë prej 22,4 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se institucionet shtetërore, agjencitë, spitalet, shkollat, institucionet kulturore, gjyqësori kanë borxhe më të mëdha për shërbimet komunale, ngrohjen, transportin dhe këto detyrime e kaluan vlerën 78,6 milionë euro, dhe afërsisht po aq detyrohen për blerje materialesh dhe inventar të imët.