“Amerikë, të dhashë më të mirën”, Biden përlotet në Konventën kombëtare të demokratëve

Nuk ishte fjalimi që Joe Biden do të donte ta mbante. Së paku, jo sivjet dhe jo në këso rrethanash. Por nëse ka dikush që e di se sa shpejt mund të ndryshojnë rrjedhat, është pikërisht presidenti – jeta personale dhe profesionale e të cilit është përcaktuar prej tragjedisë dhe fatkeqësisë, transmeton Kallxo.com.

Duke folur në një sallë të stërmbushur në Çikago në natën e parë të Konventës Kombëtare të demokratëve, Bideni ka mbrojtur me mish e me shpirt presidencën e tij – duke prekur shumë tema për të cilat kishte bërë fushatë më 2020 dhe përsëri sivjet para se në meskorrik të merrte vendimin që të tërhiqej nga gara për rizgjedhje pak javë pas debatit katastrofal kundër Donald Trumpit, i cili është kandidat zyrtar i republikanëve për kthim në Shtëpinë e Bardhë, vlerëson BBC.

“Si shumë prej jush, ia kam dhënë zemrën dhe shpirtin këtij kombi”, ka deklaruar Biden, kah fundi i adresimit prej rreth një orësh, duke nxitur brohoritjet: “Faleminderit, Joe”.

Bideni ka dalë në skenë pasi është paralajmëruar nga e bija Ashley dhe gruaja Jill, e cila u tha të pranishmëve se “e pa duke rrëmihur thellë në shpirt” teksa mori vendimin për t’u tërhequr nga gara partiake. Demokratët tani do të garojnë përballë Trumpit me kandidaturën e zëvendëspresidentes Kamala Harris.

Pasi është përqafuar me Ashleyn, ka fshirë lotët. Presidenti ka folur me zemër dhe u mundua ta rimerrte veten, duke qeshur lehtë derisa turma po vazhdonte të brohoriste në shenjë përkrahjeje.

Fjalimi i tij ishte shenjë e një paraqitjeje për vendin e tij në histori, por një hise të mirë të kohës ia dedikoi lavdeve për zëvendëspresidenten e tij – gruas që shpreson se do ta pasojë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Zgjedhja e Kamalas ishte vendimi i parë që mora kur u bëra kandidati juaj dhe është vendimi më i mirë i imi në krejt karrierën time”, ka thënë ai. “Ajo është e fortë, është me përvojë dhe ka alamet integriteti”.

Ndryshe nga adresimi i tij katër javë më parë në Zyrën Ovale, Bideni nuk ka folur drejtpërdrejt për t’ia kaluar stafetën një brezi të ri – por mesazhi ishte i qartë kristal. Pasi Bideni i dha fund fjalimit të tij, në skenë doli Harris dhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, duke e përqafuar Bidenin dhe gruan e tij, Jill.

“Të dua”, i tha zëvendëspresidentja Bidenit pas përqafimit.

Përderisa Bideni, fundin e fjalimit e përqendroi te Harris, duke folur sesi përballja e saj me Trumpin mund të jetë vendimtare se si do të shkruhet historia, shumica e folësve paraprakë të mbrëmjes thurën lavde për të zotin aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Harris e nisi me paraqitjen e planifikuara – por të paparalajmëruar – duke dalë në skenë ndërkohë që turma po duartrokiste fort.

“Joe, faleminderit për lidershipin historik dhe për një jetë të tërë në shërbim të kombit tonë dhe për krejt çfarë vazhdon të bësh”, theksoi ajo. “Të jemi përjetësisht mirënjohësh”.