Ambasadorja e RMV-së në Sofje u thirr në MPJ të Bullgarisë për shkak të deklaratës së Nikolloskit

Ambasadorja në Sofje, Agneza Rusi-Popovska, është thirrur sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë për t’iu shprehur protestë ndaj deklaratës së djeshme në konferencën për shtyp të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, në të cilën ka treguar se gjithmonë gjatë zgjedhjeve në Republikën e Bullgarisë është keqpërdorur tema e RMV-së, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Këtë e bëri të ditur sot MPJ-ja bullgare, duke theksuar se ambasadores së RMV-së në Sofje, pala bullgare ia rikonfirmoi qëndrimin konsistent për perspektivën evropiane të Shkupit.

“Fatkeqësisht, u konstatua se provokimet sistematike dhe refuzimi për të përmbushur detyrimet e përfaqësuesve zyrtarë të vendit fqinj e largon edhe më shumë nga fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian. Kabineti zyrtar dhe çdo kabinet qeveritar pasues do të vazhdojnë vijën e natyrshme të politikës së jashtme bullgare ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim garantimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e parimeve të fqinjësisë së mirë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Duke komentuar reagimin e fundit të MPJ-së bullgare se autoritetet në Shkup duhet ta kenë të qartë se përpjekjet për të ngritur ide për rinegociim të obligimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare mund të çojnë në një largim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, Nikolloski tha se atje nuk do të ketë ndërmend t’u përgjigjet njerëzve që kërkojnë pikë politike, të cilët aktualisht janë margjinalë politikë në Bullgari, sepse janë përfaqësues të një qeverie që nuk ka legjitimitet nga askush.

“Kjo nuk është politika e djeshme e Bullgarisë, por kjo është politika e fqinjit lindor që e kemi patur vazhdimisht që nga viti 2020. Aty janë aq jofunksionalë sa nuk mund të caktojnë as zgjedhje. Kjo është qeveria e tyre e shtatë apo e tetë teknike, ata nuk mund të gjejnë më njerëz për qeverinë teknike. Le t’i zgjidhin gjërat në shtëpi së pari”, tha zëvendëskryeministri.

Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme njoftoi dy ditë më parë se qeveria zyrtare e Republikës së Bullgarisë është një qeveri legjitime që ka të gjitha prerogativat për të menaxhuar vendin, gjë që erdhi si reagim ndaj deklaratës së kryeministrit të RMV-sp Hristijan Mickoski se zgjedhjet janë planifikuar në tetor në Bullgari dhe deri atëherë vendi do të ketë një qeveri teknike (zyrtare), ndaj duhet pritur që ai proces të përfundojë për të vazhduar dialogun mes dy vendeve kur do të ketë një qeveri politike në Sofia.

Sipas MPJ-së bullgare, Sofja mbetet e hapur për dialog, pavarësisht nëse vendi drejtohet nga një qeveri teknike apo e rregullt. Por, siç theksuan, ai dialog nuk përfshin rinegociim të zotimeve që tashmë i ka ndërmarrë Shkupi.

Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, i pyetur nëse ka zgjidhje kreative nëse Bullgaria nuk dëshiron të diskutojë apo rinegociojë ndryshimet kushtetuese, theksoi se duhet të pritet derisa të zgjidhet një qeveri politike në Bullgari dhe pastaj të hapet dialogu.

Ndryshe, me formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ka filluar edhe acarimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me në vitin 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.