Ambasadori Gir: Është e qartë se çfarë duhet bërë me Këshillin Gjyqësor, i kemi rekomandimet

Nihilizmi juridik mund të jetë tërheqës, por jo metoda më efektive, thotë kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, David Gir, në një intervistë për “360 Gradë”, i pyetur për qëndrimin e BE-së për njoftimin e qeverisë së re për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Për Gir, nuk ka dyshim se duhet të ketë reforma thelbësore në fushën e shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit dhe për këtë arsye ai mirëpret faktin që “qeveria është ambicioze në këtë mandat për ta vendosur atë lart në listën e prioriteteve”, transmeton Portalb.mk.

Sa i përket Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë, shpjegoi ambasadori, “tashmë ka material të bollshëm që tregon rrugët për të lëvizur”.

“Kemi Raportin e Misionit Vlerësues, i cili siç ju kujtohet është i vitit të kaluar. Ai përmban 40 rekomandime. Dhe ka shumë dokumente të tjera. Nga procesi i skriningut, Raporti i Progresit do të thotë se ka material të bollshëm në dispozicion që tregon se si të ecësh përpara. Mezi presim ta diskutojmë këtë në detaje”, thotë Gir.

Ambasadori evropian beson se do të duhet të bisedojnë me qeverinë se çfarë do të thotë “kjo gjuhë për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor, shpërbërjen e Këshillit të Prokurorëve Publikë”.

“Sigurisht, ekziston tundim për t’iu qasur me atë që unë e quaj ‘nihilizëm juridik’, me fjalë të tjera për të fshirë gjithçka dhe për të filluar nga e para. Dhe është tërheqëse dhe mund të duket tërheqëse në sipërfaqe. Por përvoja tregon se kjo nuk është mënyra më efektive. Për Këshillin Gjyqësor është e qartë se çfarë duhet bërë. Ne kemi rekomandimet. Prandaj, këshilla jonë është që të vazhdojmë, të kemi diskutime, të bisedojmë me të gjithë palët e interesuara së bashku. Të ndërtohet mbi atë që tashmë është arritur”, tha ambasadori i BE-së

Njëkohësisht, ai rikujton se Këshilli Gjyqësor tashmë ka miratuar një plan veprimi për zbatimin e 17 rekomandimeve nga Raporti i Misionit Vlerësues, të cilat janë pjesë e kompetencave të tyre.

“Prandaj, le të ndërtojmë në themelet e asaj që është arritur, për t’u siguruar që këto organe do t’i shërbejnë me të vërtetë qëllimit që supozohet – të jenë rojtarë të pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit të gjyqësorit”, thotë kreu i Delegaciont të BE-së në vend.

Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se është bërë praktikë që ambasadorët të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit. Por, siç shtoi ai, edhe po të jetë kështu, 600 mijë qytetarë votuan për këtë koalicion.

“Është e qartë se kjo nuk do të thotë asgjë për ta dhe për politikat e kësaj qeverie. Në të njëjtën kohë thonë se gjendja me shtetin e së drejtës është katastrofike, në raportet e tyre thonë se krimi dhe korrupsioni po lulëzon, besimi në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorëve Publikë është 2-3 përqind në mesin e qytetarëve”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se është i gatshëm të bisedojë me ta dhe nëse kjo zgjidhje është më e mirë, menjëherë do ta pranojë dhe ta zbatojë.

“Shikoni kush janë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe gjithçka është e qartë për ju. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të të gjitha atyre dramave që kanë ndodhur në periudhën e kaluar, lidhur me Këshillin Gjyqësor, Këshillin e Prokurorëve Publikë”, tha Mickoski.

Ndryshe, ambasadori evropian David Gir, në një konferencë për progresin në zbatimin e rekomandimeve të Misionit vlerësues të BE-së nga Këshilli Gjyqësor, tha se shpërbërja e paralajmëruar e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë është ndërhyrje diskrecionale në pavarësinë e gjyqësorit.

Ambasadorja amerikane Angela Ageler beson se Këshilli Gjyqësor duhet t’i dënojë ata që konsiderohen mbi ligjin, ndërsa ambasadori holandez Dirk Jan Kopp përsëriti se besimi i qytetarëve të Maqedonisë në gjyqësor është jashtëzakonisht i ulët.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, nga ana tjetër nuk e përkrah tezën e përgjegjësisë kolektive dhe mendon se ajo duhet të zbulohet dhe sanksionohet individualisht.

VMRO-DPMNE-ja dhe kryeministri, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar shpërbërjen e përbërjes aktuale të Këshillit Gjyqësor dhe reformim në pjesën e zgjedhjes së ardhshme të anëtarëve të tij. Në një prononcim për Këshilli tha se gjyqësori, si një nga tre autoritetet, është i pavarur dhe çdo ndërhyrje nga autoritetet e tjera mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.