Ambasada e Suedisë në RMV me thirrje për nominime për çmimin ndërkombëtar “Guximi i të Rinjve”

Ambasada e Suedisë në Maqedoninë e Veriut bën thirrje për nominime për çmimin ndërkombëtar “Guximi i të Rinjve”. Thirrja u hap më 27 janar dhe do të zgjasë deri më 31 mars 2026. Çmimi “Guximi i të Rinjve” u ndahet të rinjve nga viti 2015 me qëllim “të vijnë ne shprehje të rinjtë e moshës 13 deri në 20 vjeç, të cilët me burime të kufizuara kanë bërë ndonjë ndryshim të madh dhe kanë treguar guxim moral dhe përkushtim”, transmeton Portalb.mk.

Prapa kësaj nisme qëndron Akademia Raoul Wallenberg (RWA).

Që nga viti 2021, çmimi ka karakter ndërkombëtar.

Çmimi, si për fituesit Suedezë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë, përfshin një diplomë dhe një udhëtim në Stokholm “në hapat e Raoul-it”, së bashku me fituesit e tjerë.

Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve zhvillohet në Stokholm në kuadër të shënimit të Ditës së Raoul Wallenberg-ut, më 27 gusht, në prani të përfaqësuesve të qeverisë Suedeze, shoqërisë civile dhe sektorit të biznesit.

Nominimet duhet të përfshijnë një arsyetim të shkurtër (deri në 1000 karaktere) përse personi i nominuar duhet ta marrë çmimin,  dhe duhet të dërgohen në adresën e email-it të ambasadës: ambassaden.skopje@gov.se, më së voni deri më 31 mars 2026.

Nominimin mund ta dorëzojë kushdo, qoftë për ndonjë person tjetër ose edhe për veten.