“Alta Banka” me njerëz të Kamçevit dhe Mijallkovit
Në pozita menaxheriale dhe mbikëqyrëse në bankë shfaqen persona me lidhje politike dhe biznesore nga konteksti i brendshëm politik, ndaj LSDM ka kërkuar sërish që institucionet të hapin hetim për marrjen dhe për origjinën e kapitalit, raporton Koha.mk.
Shkup, 15 janar – LSDM edhe një herë ka kërkuar hetim për “Alta Banka” pas marrjes së “Stapanska Banka AD Manastir”, për shkak të akuzave për lidhje të supozuara politike dhe biznesore të menaxhmentit të bankës me partinë në pushtet VMRO-DPMNE. Në pozita menaxheriale dhe mbikëqyrëse në bankë shfaqen persona me lidhje politike dhe biznesore nga konteksti i brendshëm politik, ndaj LSDM ka kërkuar sërish që institucionet të hapin hetim për marrjen dhe për origjinën e kapitalit.
Akuzat vijnë në kohën kur “Alta Banka” tashmë e ka përfunduar me sukses marrjen dhe e ka ribrenduar “Stapanska Banka AD Manastir” në “Alta Banka Manastir”, por ka ruajtur një pjesë të emrave në Bordin Drejtues dhe Mbikëqyrës, si dhe në ekipin menaxherial. Sipas faqes zyrtare të bankës, ekipin menaxherial e përbëjnë: Lidija Nedelkova, Natalija Mickovska, Irena Alagjozovska Keçovska, Natasha Savova, Natalija Mihajlloska, Nikollçe Trajçevski, Marjan Zakev dhe Jovan Nikollovski.
Disa nga këta emra kanë qenë objekt shkrimesh mediatike si bashkëpunëtorë të afërt të Orce Kamçevit, i cili ishte një nga aksionarët më të mëdhenj të “Stapanska Banka AD Manastir”, tani “Alta Banka Manastir”. Njëra prej tyre është Lidija Nedelkova, ish-gjyqtare e shkarkuar nga Këshilli Gjyqësor, e cila ka qenë e afërt me pushtetin e mëparshëm të VMRO-së në kohën e Nikolla Gruevskit. Marjan Zakev, anëtar i ekipit menaxherial, në të kaluarën ka qenë pronar dhe menaxher i një kompanie të lidhur me struktura offshore dhe qarqe biznesi të afërta me Sasho Mijallkovin dhe Orce Kamçevin, si dhe me lëndën “Perandoria”.
Natasha Savova është drejtoreshë e re e marketingut në “Alta Banka Manastir”. Ajo është bashkëpunëtore e afërt e biznesmenit kontrovers Orce Kamçev. Në Bordin Mbikëqyrës janë Stevço Jollakoski, kunati i Pançe Toshkovskit, ministrit aktual të Policisë në Qeverinë e Mickoskit, si dhe Antoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe ish-ministër në Qeverinë e Branko Cërvenkovskit.
Kryetare e Bordit Mbikëqyrës është Gordana Gaceva, e cila nga tetori 2004 deri më sot punon si avokate në Shoqërinë Avokatore “Trpeski dhe Gaceva” në Shkup. Gordana Gaceva e ushtron funksionin e anëtares së pavarur të Bordit Mbikëqyrës që nga tetori 2022. Krahas tyre, anëtarë të BM janë edhe Igor Kambovski, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Bimilk nga Manastiri, si dhe Borislav Atanasovski, ekonomist i diplomuar dhe auditor i autorizuar, me përvojë të pasur profesionale në këtë fushë. Ai është bashkëpronar i Shoqërisë së Auditimit “Russell Bedford Atanasovski” në Shkup, e cila në portofolin e saj ka kryer edhe auditim të pavarur të kompanisë së Orce Kamçevit, “Orka Holding”.
Bordi Drejtues i Alta Banka Manastir përbëhet nga tre anëtarë, njëri prej të cilëve është kryetar. Aleksandra Radevska mbetet kryetare e Bordit Drejtues të Stapanjska Banka Manastir. Vendimi i Bordit Mbikëqyrës për rizgjedhjen e saj mori konfirmim edhe me pëlqimin e Bankës Popullore. Radevska është anëtare e Bordit Drejtues prej dy vitesh, që nga qershori 2023, ndërsa në pozitën e kryetares u emërua për herë të parë në nëntor të po atij viti. Ajo është e lidhur profesionalisht me “Stapanska Banka Manastir” prej 12 vitesh, prej të cilave një dekadë ka qenë pjesë e Bordit Mbikëqyrës, ndërsa që nga viti 2019, edhe e Komitetit të Auditimit. Pas përfundimit të arsimit formal, në periudhën mars-qershor 2003 ka punuar si asistente auditimi në Shoqërinë e Auditimit “B&L Revizija” Shkup, kompani ku bashkëpronar ka qenë Borislav Atanasovski, sot anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Alta Banka Manastir”.
Në biografinë e Radevskës thuhet se nga marsi 2012 deri në mars 2019 ka punuar si drejtuese e Sektorit të Auditimit në “Orka Holding” AD Shkup. Që nga marsi 2019 ushtron funksionin e drejtoreshës së Sektorit të Financave dhe Kontabilitetit në “Orka Holding” Shkup.
Anëtarja e dytë e Bordit Drejtues është Daniela Gjorshevska, e cila paraqiti dorëheqje me shkrim nga funksioni i saj më 5 nëntor 2025. Në të njëjtin njoftim thuhet se Bordi Mbikëqyrës i bankës, në seancën e tij të 25-të të mbajtur më 10 nëntor 2025, ka marrë vendim që Maja Kadievska Vojnoviq të emërohet anëtare e re e Bordit Drejtues, ndërsa deri atëherë – Daniela Gjorshevska do të vazhdojë ta ushtrojë funksionin e saj si anëtare e Bordit Drejtues të bankës. Kadievska Vojnoviq është e njohur për publikun si ish-zëvendësguvernatore dhe profesoreshë në American College. Ajo ka qenë edhe pjesë e Bordit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ndërsa aktualisht është anëtare e Bordit Mbikëqyrës të operatorit të sistemit të pagesave KIBS – Sistemet Ndërbankare të Kliringut AD Shkup.
Kujtojmë se raporti i ri i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian, paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
“PE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept; PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në raport.