Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës (Video)
Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, raporton Portalb.mk.
“Për” votuan gjithsej 66 deputetë, 44 ishin “kundër”, ndërsa 8 abstenuan. Me këto vota, Haxhiu do të jetë kryetare e Kuvendit në legjislaturën e dhjetë.
Ajo premtoi bashkëpunim të paanshëm me të gjithë deputetët.
Në këtë seancë u zgjodhën edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës: Ardian Gola (VV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Sllavko Simiçin (LS) dhe Emilija Rexhepi (komunitetet). “Për” nënkryetarët votuan 104 deputetë, 3 “kundër” dhe 6 “abstenuan”.
Albulena Haxhiu në legjislaturën e fundit të Qeverisë së Kosovës ishte ministre e Drejtësisë, ndërsa në legjislaturën e fundit të Kuvendit ishte nënkryetare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 9 shkurt ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas rezultateve tashmë të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa komunitete jo shumicë i kanë të garantuara 20 ulëset e tjera.