Albin Kurti u rizgjodh kryeministër i Kosovës, këto janë ministrat e ri (Video)
Deputetët e Kuvendit të sapo konstituuar të Kosovës i thanë ‘po’ Albin Kurtit për edhe një mandat në krye të Qeverisë, raporton Portalb.mk.
‘Për’ votuan 66 deputetë, ‘kundër’ 49 deputetë dhe të ‘përmbajtur’ asnjë deputet.
Kuvendi votoi edhe ministrat dhe zëvendëskryeministrat.
Kabineti qeveritar do të jetë në këtë përbërje:
- Kryeministër Albin Kurti.
- Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
- Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka.
- Ministër i Financave, Hekuran Murati.
- Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
- Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
- Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu.
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia.
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku.
- Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci.
- Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani.
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.
- Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari.
- Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
Gjatë prezantimit të prioritetetve të Qeverisë së re, Albin Kurti premtoi investime të mëdha në energji të ripërtërishme dhe burime ujore, si dhe zhvillimin e industrisë së prodhimit. Ai premtoi reforma në arsim dhe edukim, shëndetësi, bujqësi dhe sport. Ndër të tjera ai premtoi edhe një investim prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes.
Pas ekspozesë së Kurtit, foli edhe Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të dy shprehën gatishmëri për bashkëpunim institucional.
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, theksoi se komuniteti serb në Kosovë nuk ka asgjë kundër popullit shqiptar, por do të kundërshtojnë politikat që sipas tij synojnë largimin e serbëve nga Kosova.
Zgjedhjes së Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje të krye të Qeverisë i priu mandatimi nga presidentja Vjosa Osmani gjatë mbrëmjes së sotme.
Kuvendi u konstituua sot më herët në një seancë në të cilën Albulena Haxhiu (VV) u zgjodh kryetare e Kuvendit.
Gjithashtu u zgjodhën edhe pese nënkryetarë: Ardian Gola (VV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Sllavko Simiçin (LS) dhe Emilija Rexhepi (komunitetet).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 9 shkurt ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas rezultateve tashmë të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa komunitete jo shumicë i kanë të garantuara 20 ulëset e tjera.