Aksion i ri gueril artistik kundër dezinformatave në Shkup – “Gënjeshtrës i zgjatet hunda”

Këmbësorët që do të kalojnë sot në rrugën “Arradhat Partizane” do të ndeshen me një instalacion arti gueril. Bëhet fjalë për një vepër arti të artistit Gjorge Jovanoviq, e cila synon të nxjerrë në pah rrezikun e keqinformimit, transmeton Portalb.mk.

“Gënjeshtrës i rritet hunda” është një veprim dhe ndërhyrje artistike hapësinore përmes së cilës Jovanoviq trajton temën e dezinformatave që është prezente gjithandej rreth nesh dhe pengon grupe dhe komunitete të tëra që të shohin të vërtetën, duke e verbuar opinionin me gënjeshtra shumëngjyrëshe të paketuara në lajme të rreme që një numri të madh të qytetarëve u bien në sy”, thonë nga Qendra për Arte Bashkëkohore. 

Kjo vepër është një nga seritë e aksioneve artistike të grupit të aksioneve artistike urbane (urban guerilla), përmes së cilës artistët e vendit përfshihen aktivisht në luftën kundër lajmeve të rreme.

Sipas Jovanoviqit, në kohët e trazuara që po kalojmë, në të cilat dominojnë gënjeshtra dhe manipulimet në vend të së vërtetës, dhe vlerat e rreme dominojnë në vend të virtyteve, secili duhet të bëjë atë që di më mirë.

Foto: Qendra për Arte Bashkëkohore
Foto: Qendra për Arte Bashkëkohore

“Vetë instalacioni paraqet një kombinim artistik të shenjës për qasje në rrjetin e internetit, në të cilën në njërën anë vendoset një paraqitje artistike e një personi që punon në kompjuter dhe krijon përmbajtje false që më pas përhapet përmes internetit në hapësirën online. Në anën tjetër të kompozimit, shenja e internetit shndërrohet në një personazh me hundë të madhe, duke e shoqëruar me hundën e Pinokut, pra thekson rrezikun e praktikës së përhapjes së lajmeve të rreme në hapësirën online”, thonë nga Qendra për Artet Bashkëkohore.

Përveç kësaj, pranë veprës artistike është një tekst që hedh poshtë mitet për Bashkimin Evropian. Për shembull, një keqinformim i zakonshëm që përhapet në rrjetet sociale është se Bashkimi Evropian synon të shkatërrojë sovranitetin e vendeve të veçanta, ndërsa e vërteta është se ka mekanizma përmes të cilëve përcaktohet nëse një vendim do të zbatohet në nivel lokal, kombëtar apo evropian.

Vepra artistike është krijuar në kuadër të projektit “Dezinformimi – mjegullimi krijues i mendjes“, i cili zbatohet bashkërisht nga Qendra për Art Bashkëkohor, SKUP – Qendra për Gazetari Hulumtuese dhe Radioja Kombëtare Kanal 77.

Projekti mbështetet nga Programi i Aktivizmit Digjital të TechSoup Global.