Agjencia që menaxhon me fondet Erasmus plus në RMV edhe zyrtarisht me drejtoreshë të re në detyrë

Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri ka udhëheqësi të re që do të vazhdojë zbatimin e „Erasmus“ dhe „Korpusit të Solidaritetit Evropian“ në Maqedoni, si dhe disa programeve dhe rrjeteve të tjera evropiane për arsim dhe lëvizshmëri. U.d e drejtoreshë e institucionit është emëruar Ana Mihajllov, e cila vjen nga radhët e të punësuarve dhe ka mbi 15 vjet përvojë në këtë fushë, transmeton Portalb.mk.

“Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në takimin e sotëm me Mihajllov i uroi sukses në realizimin e objektivave programore, duke theksuar se aktivitetet e Agjencisë Kombëtare janë pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e përpjekjeve të shtetit për integrimin e sistemit arsimor maqedonas në hapësirën arsimore evropiane. Mihajllov shprehu bindjen se institucioni do të vazhdojë t’i respektojë me përpikëri parimet evropiane të punës gjatë zbatimit të programeve për arsim dhe lëvizshmëri, duke i afruar përfitimet nga këto programe sa më shumë nxënësve, mësimdhënësve, si dhe shoqatave  civile dhe faktorëve të tjerë të sistemit arsimor. Si autoritet kombëtar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon ta ndjekë punën e Agjencisë dhe, përmes komunikimit të rregullt me institucionet dhe organet arsimore dhe shkencore në kuadër të Komisionit Evropian, garanton funksionim të duhur dhe optimal, si dhe përmirësim të vazhdueshëm të kapaciteteve të institucionit”, njoftoi Ministria e Arsimit.

Kujtojmë se, ardhja e drejtorit paraprak, Bogojeskit në krye të ANPAEM u cilësua nga opinioni si skandaloze për faktin se qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar. Partitë opozitare shqiptare e vlerësuan si “provokim në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane”, ndërkaq koalicioni shqiptar në pushtet VLEN nuk e cilësoi si shqetësim emërimin e Bogojeskit për drejtor.